Tmerri i dhunës në familje, sa është i përhapur në rajon? / Foto: TRT Balkan

Dhuna në familje është dukuri negative që mbetet prezente në rajonin e Ballkanit dhe shpesh përfundon edhe tragjikisht, duke marrë dhjetëra viktima në vit në gjithë rajonin.

TRT Balkan vështron shifrat e vitit të kaluar në shtetet e rajonit. Diku po rriten rastet e dhunës në familje e diku po bien, ndërsa sipas autoriteteve, po rritet gjithnjë e më shumë edhe ndërgjegjësimi dhe raportimi i këtyre rasteve.

Serbia më së shumti raste të dhunës në familje

Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2022, në Serbi janë raportuar 15.717 raste të dhunës në familje, sipas platformës “Iskljuci-nasilje.rs”.

Ndërsa, të dhënat zyrtare nga Ministria e Brendshme tregojnë se gjatë vitit të kaluar, 40 viktima kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje. Prej tyre 26 janë gra, më saktë 25 gra dhe një vajzë e mitur.

Ministria e Brendshme serbe ka proceduar 4.464 vepra penale – dhunë në familje, ndërsa janë marrë 31.331 masa urgjente.

Në Shqipëri rritet numri krahasuar me një vit më parë

Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka regjistruar rritje të theksuar të rasteve të dhunës në familje. Janë raportuar gjithsej 5.213 raste të dhunës dhe krimeve të tjera në familje, 2.386 më shumë sesa në vitin 2021, kur kishte 2.845 raste.

Në vitin 2022, në pjesën më të madhe të rasteve, saktësisht 3.760 prej tyre, viktima kanë qenë gratë dhe vajzat. Viktima kanë qenë edhe fëmijët, në 226 raste gjithsej.

Rriten raportimet edhe në Kosovë

Brenda një viti, në Kosovë janë raportuar 2.735 raste të dhunës në familje, ose mesatarisht gati 8 raste çdo ditë, sipas një raporti të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa 20 për qind e tyre janë gra. Raporti i të dyshuarit dhe viktimës është si vijon, 2.162 raste janë bashkëshort-bashkëshorte, 120 raste fëmijë-prind, 462 raste janë prind-fëmijë dhe 123 raste janë vëlla e motër.

Numrat janë në rritje krahasuar me vitet e kaluara, por sipas Qeverisë, faktor për rritjen e numrave është edhe rritja e ndërgjegjësimit dhe raportimeve në polici.

Në Bosnjë e Hercegovinë dhuna në rritje, drejtësia “e butë”

Gjatë vitit 2022, në Bosnjë e Hercegovinë janë paraqitur gjithsej 2.290 kallëzime për dhunë në familje, prej të cilëve në 2.009 raste kanë qenë burrat në rolin e të dyshuarit ose akuzuarit.

Sipas të dhënave të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës, nga 556 aktakuza të ngritura gjatë vitit të kaluar, në 481 raste përgjegjësit janë dënuar vetëm me dënime me kusht.

Rastet në rënie në Maqedoninë e Veriut

Gjatë vitit 2022, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.543 viktima të dhunës në familje, prej të cilëve pjesa më e madhe janë gra – 1.074 gjithsej. Në 252 raste viktima janë burrat, ndërsa fëmijët në 227 raste.

Numrat në Maqedoninë e Veriut janë në rënie krahasuar me vitin paraprak. Gjatë vitit 2021 kishte 1.608 raste të raportuara, rreth 4% më shumë.

TRT Balkan