Trajneri i kombëtares kuq e zi Sylvinho, optimist për dy ndeshjet e radhës.     /Foto: AA

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Sylvio Mendes Campos Junior, në një konferencë për mediat ka folur mbi dy ndeshjet e radhës kualifikueseve të "Euro 2024", ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, ndërsa theksoi se i kanë të gjitha mundësitë për të fituar në të dyja ndeshjet.

Trajneri Sylvinho tha se është i kënaqur me listën e lojtarëve që kanë grumbulluar dhe shtoi se kanë kohën e mjaftueshme për ta përgatitur skuadrën për të luajtur në të dyja ndeshjet.

Ai tha se mendon se kanë lojtarët e duhur në ekip për të pasur sukses, qoftë në sulm dhe qoftë në mbrojtje.

"Është një moment paksa delikat, fundi i sezonit dhe lojtarët mund të jenë pak të ngarkuar, por kjo është pjesë e punës. Ne kemi folur gjatë kësaj kohe me të gjithë lojtarët, kemi takuar shumë prej tyre, kemi komunikuar me të gjithë dhe është një situatë ku sigurisht duhet menaxhuar sa më mirë grupi ose lojtarët. Duhet menaxhuar volumi i punës dhe ajo që është më e rëndësishmja duhet menaxhuar intensiteti", u shpreh Sylvinho.

Trajneri i ekipit kuqezi theksoi se kanë një përzierje të lojtarëve të rinj dhe lojtarëve me eksperiencë dhe disa elementë të tjerë, duke shtuar se "mendoj se do na ndihmojnë shumë në këto dy ndeshje".

"Sigurisht që gjitha mundësitë i kemi për të marrë fitore, përveç lojës së bukur për të marrë edhe 6 pikët, por fusha do të na tregojë më shumë sesa jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë. Është e rëndësishme të bëjmë lojë të mirë, por edhe të marrim pikë. Jam i kënaqur sepse kemi një ekip të mirë. Jam i bindur që më 17 qershor kur unë të bëj debutimin tim këtu në Shqipëri përballë tifozëve tanë do të jetë një atmosferë shumë e mirë", tha ai.

Për dy ndeshjet e radhës të muajit qershor, janë grumbulluar 26 lojtarë, duke përfshirë edhe emrat të rinj ose rikthime të rëndësishme. Në mbrojtje rikthehen Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, të cilët munguan në mars ndaj Polonisë për shkak dëmtimi, ashtu si edhe Adrian Bajrami.

Në kuadër të Kampionatit Evropian 2024, kombëtarja kuqezi është në Grupin E me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.

Më 17 qershor në Tiranë luhet ndeshja Shqipëri-Moldavi, e vlefshme për kualifikueset e "Euro 2024". Ndeshja e radhës Ishujt Faroe-Shqipëri, do të luhet më 20 qershor.


TRT Balkan / agjencitë