Kovaçevski theksoi se interesi afatgjatë i Maqedonisë së Veriut është zhvillimi i përgjithshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Kanadanë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau.
Sipas njoftimit të qeverisë, në bisedë mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Kovaçevski shprehu kënaqësinë që ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë Melanie Joly vizitoi Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas tij, flet për dialog aktiv dhe të vazhdueshëm mes dy vendeve për tema të rëndësishme me interes për të dyja vendet, në Evropë dhe më gjerë.
"Biseda përfshiu disa tema në drejtim të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe si dhe bashkëpunimit brenda NATO-s dhe skenës multilaterale", thuhet në njoftim.
Kovaçevski theksoi se interesi afatgjatë i Maqedonisë së Veriut është zhvillimi i përgjithshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Kanadanë, e cila, siç tha ai, që nga fillimi i pavarësisë së Maqedonisë së Veriut ka treguar mbështetje aktive për reformat, integrimet evropiane dhe euroatlantike të vendit.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, i cili ofron një rrugë të besueshme, të parashikueshme dhe të sigurt për prosperitetin dhe përparimin e saj si pjesë e familjes evropiane të kombeve.
Kryeministri kanadez Trudeau shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në NATO, veçanërisht me pjesëmarrjen e ushtarëve të Maqedonisë së Veriut në grupin luftarak për praninë e shtuar në Letoni, i cili është nën komandën kanadeze.
Ai tha se ky grup mundëson bashkëpunim të rëndësishëm mes aleatëve nga vende të ndryshme në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë transatlantike ndërsa ushtarët e Maqedonisë së Veriut, si pjesë e saj, respektohen shumë nga kolegët kanadezë.
"Bashkëpunimi ynë është i fortë në NATO, në BE dhe në Ukrainë, dhe unë e di që njerëzit e Maqedonisë së Veriut e kuptojnë se e ardhmja e vendit është e ndritur si pjesë e demokracive të përparuara evropiane", theksoi Trudeau i cili shtoi se "Maqedonia e Veriut mund të mbështetet gjithmonë te Kanadaja".
Kovaçevski foli edhe për rëndësinë e komunitetit maqedonas në Kanada dhe kontributin e tij të rëndësishëm në shoqërinë kanadeze.