Universitetet më të vjetra në rajon / Foto: Universiteti i Zagrebit - faqja zyrtare

Universitetet si vatër e arsimit të lartë filluan të hapen në kontinentin e Evropës nga fundi i shekullit XI. Në Ballkan, dëshmitë e para për universitet datojnë nga shekulli XIV, me Universitetin në Durrësin e sotëm që u themelua nga Republika e Venedikut në vitin 1380 nën emrin Universitas Studiorum Dyrrhachium. Në vitin 1396, universiteti i transferua në Zadar të Kroacisë, duke u bërë Universiteti i Zadarit.

Por, ky universitet ka humbur vazhdimësinë gjatë historisë. Ndër universitetet që vazhdojnë të funksionojnë pa ndërprerje në vendet e Ballkanit, më i vjetri është Universiteti i Zagrebit. I themeluar në vitin 1669, ky universitet hyn në shekullin e katërt të ekzistimit dhe llogaritet më i vjetri në këtë pjesë të Evropës.

Universiteti i Beogradit daton nga shekulli XIX, gati 140 vjet më vonë.

Të gjitha universitetet në shtetet e tjera të Ballkanit datojnë nga shekulli XX. Universiteti i Shën Kirilit dhe i Metodit në Shkup funksionon nga viti 1943. Universiteti i Sarajevës fillon nga viti 1949, ndërsa i Tiranës nga viti 1957.

Universiteit i Prishtinës u themelua më 18 nëntor 1969, megjithëse disa studime të larta funksiononin që nga vitet e 50ta.

Universiteti i Malit të Zi, i themeluar në vitin 1974, është më i vjetri në këtë shtet ballkanik.

Gruaja që themeloi universitetin e parë në botë

Ndërkohë universiteti i parë në botë sipas UNESCO-s dhe Librit të Rekordeve Guinness është universiteti al-Qarawiyyin në Fes të Marokut. Atë e themeloi Fatima al-Fihri, një grua arabe e cila kishte migruar në Marok.

Universiteti i themeluar më shumë se 1000 vjet më parë fillimisht funksiononte si shkollë e lartë e fesë, por u zgjerua edhe me drejtimet e matematikës, mjekësisë, astronomisë dhe të tjera.

Universiteti i parë në Evropë u themelua dy shekuj më vonë, në vitin 1088 në Bologna.

Ndër universitetet më të vjetra në botë janë edhe Universiteti i Oxfordit, Salamancas, Paduas, Naples Federico II, i Sienas dhe i Coimbras.

TRT Balkan