Vala e nxehtë kaplon rajonin!     /Foto: MIA

Përderisa Evropa dhe bota është përfshirë nga valët e të nxehtit, vendet e rajonit kanë marrë disa masa në drejtim të mbrojtjes të qytetarëve.

Më 6 korrik, bota shënoi rekord të ri të ditës më të nxehtë ndonjëherë.

Sipas të dhënave të Universitetit Maine në ShBA, temperatura mesatare globale më 6 korrik arriti në 17,23 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 17,16 gradë Celsius të regjistruar më 4 dhe 5 korrik të këtij viti.

Shqipëri

Ashtu si vendet e tjera të rajonit, edhe Shqipëria është përfshirë nga vala e të nxehtit, ku janë regjistruar temperatura të larta.

Sipas një njoftimi nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak i Shqipërisë, publikuar në rrjetet sociale, vala e të nxehtit që tashmë ka pushtuar pjesën më të madhe të Evropës do të vijojë të jetë prezente edhe gjatë kësaj jave në Shqipëri, ku sot temperatura maksimale parashikohet të arrijë deri në 41 gradë Celsius.

Sipas këtij shërbimi, orët e gjata me diell dhe masat ajrore të nxehta do të bëjnë që termometri të regjistrojë në ditët vazhdim temperatura deri në 43 gradë Celsius, kryesisht në qytetet Berat, Elbasan dhe Gjirokastër.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës, duke evituar ekspozimin në diell në pikun e temperaturave nga ora ‪11:00‬ deri në ‪18:00.

Kosovë

Për shkak të temperaturave të larta, Komuna e Prishtinës vendosi një cisternë uji në sheshin qendror “Skënderbeu” për freskimin e qytetarëve.

“Qëllimi i vendosjes së cisternës është freskimi i qytetarëve që të kalojnë sa më lehtë këto ditë në mot të nxehtë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në Kosovë edhe këtë javë vazhdon moti me diell me temperatura tropikale. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat më të larta ditore do të lëvizin prej 33 deri në 37 gradë Celsius, ndërsa në shumë zona urbane edhe deri në 40 gradë. Edhe fundjava e ardhshme parashikohet të jetë jashtëzakonisht e nxehtë.

“Ky mot me këto temperatura jashtëzakonisht të larta është rezultat i ardhjes së masave të ngrohta ajrore nga Afrika e Veriut. Shpejtësia e lartë e avullimit do të krijojë nxehtësi dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se vlerat e deklaruara”, tha Instituti.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës tërheq vëmendjen e qytetarëve se indeksi UV do të jetë shumë i lartë, ndaj rekomandohet që nga ora 10:00 deri në 17:00 të kufizohet sa më shumë ekspozimi ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht për personat me sëmundje kronike.

Autoritetet rekomandojnë masa si mbajtja e syzeve mbrojtëse ndaj rrezeve të diellit, çadra dielli, veshje me ngjyra të çelura, përdorimi i kremrave adekuatë për mbrojtjen e lëkurës dhe pirja e ujit sa më shpesh të jetë e mundur. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i frutave dhe perimeve dhe ushqimeve me sa më pak yndyrë.

Maqedoni e Veriut

Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut javën e kaluar bëri të ditur se i gjithë territori i vendit do të preket nga temperaturat e "fazës portokalli", duke marrë masa në kohëzgjatje prej katër ditësh prej 13 deri 16 korrik.

Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një njoftim mbrëmë theksoi se vendi do të vazhdojë të preket nga temperaturat e "fazës portokalli", me ç’rast bëri të ditur se masat e mëparshme do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi.

Ndër masat që duhen respektuar janë lirimi nga detyrimet e punës së grupeve më të cenueshme të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, si dhe të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Qeveria gjithashtu njoftoi ndalim të lëvizjeve nëpër pyje dhe zona të mbrojtura kombëtare, ndërsa Qeveria dhe autoritetet kompetente po monitorojnë vazhdimisht situatën lidhur me temperaturat, për të marrë sa më shpejt masat e duhura për mbrojtjen e qytetarëve.

Gjithashtu, në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi është në fuqi alarmi i kuq i motit, që tregon mot shumë të rrezikshëm për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta ditore të ajrit.

TRT Balkan / agjencitë