Anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës u takuan sot me komisarin evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Sarajevë.
Varhelyi të hënën arriti për vizitë në BeH, pas deklaratës së javës së kaluar se shpreson që Bosnjë e Hercegovina të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në dhjetor.
Varhelyi takoi fillimisht anëtarët e Presidencës së BeH, ndërsa do të ketë takim edhe me kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe zëvendësit e tij.
Pritet që temat kryesore në takime të jenë rruga evropiane e Bosnjë e Hercegovinës dhe reformat që duhet të implementohen me qëllim marrjen e statusit kandidat.
Komisari evropian gjithashtu do të zhvillojë takime edhe në kontekst të përkrahjes së Bosnjë e Hercegovinës për përballje me migrimin dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim mes Ministrisë së Sigurisë të BeH dhe Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM).