Plani i ri i Zhvillimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor do të nxisë dyfishimin e zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve brenda dhjetë viteve.
Këtë e konfirmoi Oliver Varhelyi, Komisari i BE-së për Zgjerimin, në hapje të samitit të vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Europian, i cili po zhvillohet sot në Tiranë.
Varhelyi konfirmoi vullnetin e BE-së për të nxitur zhvillimin dhe për të integruar tregun e Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian edhe përpara se integrimi i plotë i këtyre gjashtë vendeve të ndodhë.
“Ne kemi gjysmën e kohës në dispozicion për ta vënë në zbatim. Duhet të vazhdonte deri në 2027, por kemi besim të plotë tek të gjitha vendet, që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani. Ky plan ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në dhjetë vitet e ardhshme”, tha Varhelyi.
Sipas tij, nëse duam që rajoni të eci me shpejtësi, kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional.
“Ky plan do të funksionojë nëse do të zbatoni rregullat e BE. Nëse ju i pranoni të gjitha këto rregulla, dhe kështu mund të bëheni pjesë e tregut të vetëm europian përpara se të bëheni anëtarë me të drejta të plota të BE”, bëri të ditur Varhelyi”, deklaroi Komisari i BE-së për Zgjerim.
Liderët e rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë për samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.