Vazhdojnë protestat para Bashkisë së Tiranës / Photo: AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”. Protesta e 15-të është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë protestës u dogjën goma, si dhe u hodhën tymuese, vezë dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë, ndërkohë të pranishëm ishin edhe deputetë të opozitës.

Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i opozitës, Dorjan Teliti, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se Tirana nuk ka vend për shkelësit e ligjit dhe shtoi se Tirana ka vend për qytetarinë dhe për ndershmërinë.

"Duhet të qëndrojmë në këmbë, sepse vetëm qëndresa dhe rezistenca qytetare me çdo mjet demokratik ka për të sjellë ndryshimin", theksoi Teliti.

Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, tha se fton protestuesit e sotëm dhe qytetarët e Tiranës, që protestën e radhës ta zhvendosin para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë më 11 korrik.

"Unë ftoj çdo qytetar, edhe ata që janë skeptikë, edhe ata që preferojnë të mos vijnë në protestë, edhe ata që kanë pikëpyetje, të vijnë të bashkohen, sepse kjo kauzë nuk bëhet për Partinë Demokratike, bëhet për të gjithë qytetarët. Ne sot jemi të vjedhur, demokratë dhe socialistë, me apo pa parti", tha Këlliçi.

Koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, u shpreh se shqiptarët "janë i vetmi popull në Evropë që po protestojnë jo për interesat personale, por për drejtësi".

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive".


AA