Vendet e Ballkanit do të trajnojnë ushtrinë ukrainase.     Foto: Reuters Archive

Parlamenti kroat i tha jo propozimit që ushtria kroate të përfshihet në trajnimin e ushtrisë së Ukrainës, si pjesë e programit të BE-së EUMAM. Nga ana tjetër, Sllovenia, Bullgaria dhe Greqia kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar për ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë ukrainase.

Bashkimi Evropian në tetor dakordoi nismën për Misionin e Asistencës Ushtarake (EUMAM) në përkrahje të Ukrainës. Kjo nismë erdhi si përgjigje e kërkesës së Ukrainës, e cila tashmë disa muaj kërkon ndihmë nga BE-ja për të trajnuar forcat e armatosura.

EUMAM synon të kontribuojë në rritjen e kapacitetit ushtarak të forcave të armatosura të Ukrainës. Misioni do t'i ndihmojë Ukrainës në stërvitjen e ushtarëve në nivele të ndryshme, stërvitjen e forcave speciale dhe të rezervistëve.

Më specifikisht, EUMAM do të trajnojë rreth 15.000 trupa ukrainas në dy vjet, duke rritur aftësinë e vendit për t'u mbrojtur nga Rusia. Sipas raportimeve, 12.000 ushtarë do të stërviten me trajnim bazik, ndërsa 2.800 të tjerë do të kenë trajnim të specializuar në kuadër të EUMAM-it. Këto shifra mund të ndryshojnë gjatë rrugës.

Disa prej vendeve të Ballkanit, të cilat janë anëtarë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë në të.

Parlamenti kroat kundërshton stërvitjen e trupave ukrainas

Përkundër insistimit të Qeverisë, vendimi për stërvitjen e ushtarëve ukrainas nuk kaloi në parlamentin kroat. Vendimi duhej të miratohej me shumicën e 2/3, por nga 101 vota të nevojshme mori përkrahjen e vetëm 97 deputetëve.

Opozita e kundërshtoi vendimin duke vlerësuar se nuk është gjë e mençur që Ukraina të përfshihet në një konflikt kundër një agresori si Rusia, fuqi botërore dhe bërthamore.

Gjithashtu, vendimi nuk mori miratimin e presidentit kroat Zoran Millanoviq.

Sllovenia, Bullgaria dhe Greqia përfshihen në programin e BE-së

Sllovenia miratoi vendimin për përfshirje në EUMAM në fillim të dhjetorit. Sidoqoftë, kontributi slloven do të jetë simbolik. Sipas zyrtarëve në Lubjanë, vetëm rreth 30 trajnues nga ushtria sllovene do të përfshihen në këtë mision.

Gjithashtu, stërvitjet nuk do të mbahen në Slloveni, por trajnuesit sllovenë do të stërvisin ukrainasit në vende të treta.

Bullgaria gjithashtu ka vendosur të marrë pjesë në misionin e BE-së për trajnimin e ushtrisë ukrainase. Sipas Ministrisë bullgare të Mbrojtjes, rreth 50 ushtarakë bullgarë do të marrin pjesë në trajnim, në territore të vendeve të treta në BE ose në Bullgari.

Gjithashtu, Bullgaria do të trajnojë në territorin e saj deri në 60 mjekë ushtarakë ukrainas çdo vit.

Edhe Greqia, e cila i ka ndihmuar Ukrainës ushtarakisht që nga fillimi i konfliktit në shkurt të këtij viti, pritet t’i bashkëngjitet këtij programi.

Türkiye: BE-ja dëshmoi mungesë të mendimit strategjik

Vendimi i BE-së për nisjen e këtij misioni pa u konsultuar me Türkiyen, një prej vendeve më aktive në përpjekjet diplomatike për të ndalur luftën Rusi-Ukrainë, është kritikuar nga ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

Sipas tij, BE-ja dëshmoi se ka humbur të menduarit strategjik me qasje të tillë.

"Së pari, më duhet të them se ne si Türkiye jemi shumë të lumtur që jemi dëshmitarë të unitetit brenda BE-së dhe NATO-s. BE-ja paralajmëroi një mision të ri trajnimi të sigurisë për Ukrainën. Por, ajo injoroi konsultimet me Türkiyen përpara fillimit të këtij misioni", tha Cavusoglu.

Për realizimin e këtij misioni stërvitor, BE-ja ka ndarë rreth 106 milionë euro për dy vjet.




TRT Balkan