Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vëngu, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneralmajor Arben Kingji dhe drejtorin e Përgjithshëm të AKMC-së, Haki Çako, zhvilluan sot në sallën e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, një diskutim mbi zhvillimin e strategjisë për përballimin e situatës të zjarreve në vend.
Vëngu u shpreh se sot është përfunduar informimi për situatën lidhur me zjarret që kanë përshkuar vendin ditën e djeshme sikundër dhe parashikimet për ditën e sotme dhe ditët në vijim.
“E vërteta është që kemi pasur një javë të vështirë, jo vetëm për vendin por për mbarë rajonin dhe dita e djeshme ka qenë dita me intensitetin më të madh të vatrave të zjarreve. 40 vatra të identifikuara në rang vendi, sikundër kemi pasur gjithashtu dhe reagimin më të madh dhe gatishmërinë më të madhe pasi kemi arritur të shuajmë 30 prej tyre, ndërkohë që mbetet ende 10 aktive dhe përpjekjet vijojnë për shuarjen në orët në vijim”, tha Vëngu.
Ministri shtoi se gatishmëria është rritur ditët e fundit.
“Edhe falë mbështetjes së dy avionëve të ardhur nga forcat ajrore rumune brenda Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane. Sigurisht tani koha është për reagim të shpejtë. Kemi përparësi mbrojtjen e jetëve të qytetarëve, mbrojtjen e pronave të tyre”, tha Vëngu.
Vëngu u shpreh se çdo emergjencë sjell gjithashtu dhe mësime.
“Do të vijë momenti që do të bëjmë një analizë të dëmeve. Do të vijë momenti që do të bëjmë një analizë të gjithë mekanizmit dhe kapaciteteve reaguese”, tha ai.
“Kemi synim që me mbarimin e gjithë këtij sezoni të vështirë me zjarret në mbarë rajonin të bëjmë një analizë të hollësishme dhe të nxjerrim konkluzione sa u përket shpërblimeve të dëmeve ndaj qytetarëve. Të nxjerrim konkluzione dhe udhëzime përsa i përket gatishmërisë të gjitha bashkive, të cilat sipas ligjit dhe standardeve duhet të jenë në vijë të parë të reagimit të emergjencave civile. Sikundër duhet të përforcojmë gjithashtu dhe kapacitetet reaguese te forcave të armatosura të cilat vijnë të përforcojnë ato bashki, ato ekipe vendore që nuk kanë kapacitetet e nevojshme”, u shpreh ministri Vëngu.