Vërshime në disa vende të rajonit, ka edhe viktima / Photo: Facebook - Këshilli i Bashkësisë Islame Skenderaj

Disa komuna të Kosovës po përballen me vërshime që nga orët e mëngjesit pas reshjeve të fundit, derisa Komuna e Skënderajt ka shpallur tashmë gjendje të jashtëzakonshme.

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, tha se, si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, situata është rënduar ndërsa kanë marrë vendim që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e kësaj komune si dhe kanë formuar Shtabin Emergjent që po punon në terren.

"Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontroll, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut", theksoi Nura.

Disa nga komunat e tjera të cilat po përballen me vërshime në Kosovë janë edhe Vushtrria, Klina, Deçani si dhe rajoni i Pejës dhe i Prizrenit.

Dy të mbytur në Novi Pazar të Serbisë

Dy meshkuj janë mbytur në Novi Pazar, në lagjen Qerimxhinica pasi ranë në lumin e vërshuar Tërnavica.

Shefi i sektorit për situata të jashtëzakonshme në Novi Pazar, Ismail Dupljak, tha se situata në Novi Pazar është kritike.

“Ndodhi tragjedi e madhe, dy persona u mbytën. Këto janë informacione jozyrtare, por duket të jetë e saktë. Ata gjendeshin në breg, dheu u shemb dhe ranë në ujë”, tha Dupljak.

Ai tha se reshjet po vazhdojnë prej mbrëmë dhe lumenjtë Rashkë, Joshanicë, Banjskë, Tërnavicë arritën nivelin maksimal.

Një viktimë në Sarajevë

Reshjet intensive të shiut shkaktuan vërshime edhe të lumit Miljackë në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës.

Një femër e re u mbyt gjatë natës në lumin Miljackë, njoftoi shërbimi për shpëtim.

Siç theksohet, rreth orës 2 të mëngjesit, shërbimet kanë pranuar thirrjen se një femër e moshës së re ka pësuar fatkeqësi dhe është mbytur në lumin e vërshuar të Miljackës në Skenderia.

Ndryshe, edhe Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në disa qytete të vendit, ndërkohë situata më problematike është në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës.

TRT Balkan / agjencitë