Maqedonia e Veriut priti 17 vjet, Shqipëria 8 dhe që të dyja shtetet arritën që në vitin 2022 të fillojnë edhe zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këtij procesi, i cili u rrumbullakësua më 19 korrik pas realizimit të konferencave ndërqeveritare të të dyja shteteve me BE-në, i paraprinë një sërë zhvillimesh gjatë këtij viti.
TRT Balkan ju sjell një retrospesktivë të vitit për procesin integrues të Tiranës dhe të Shkupit.
Shqipëria, peng i kontestit Shkup-Sofje
Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut me automatizëm bllokoi edhe rrugën evropiane të Shqipërisë, dhe në këtë mënyrë zhvillimet Maqedoni e Veriut-Bullgari zënë një vend të rëndësishëm në kalendarin e vitit 2022. Më 25 janar në Sofje u mblodhën dy qeveritë, ku përskaj nënshkrimit të memorandumeve u caktuan edhe afate pune për grupet e punës.
Pasoi propozimi francez për tejkalimin e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, i cili shkaktoi reagime të shumta në të dyja shtetet.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, e cila zgjati që nga viti 2021, Shqipëria priste me mirëkuptim ndaj Shkupit dhe irritim ndaj Brukselit dhe Sofjes që të zhbllokohet perspektiva evropiane e të dyja vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Është turp që një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe bllokon rrugën e tyre drejt BE-së. Ndërkohë që në oborrin e pasëm të BE-së ka luftë dhe 26 vendet e tjera rrinë shohin të pafuqishëm”, deklaronte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Propozimi francez dhe drita jeshile nga Bullgaria
Më 24 qershor, propozimi francez u votua në Kuvendin bullgar me 170 vota për, 7 kundër dhe 21 të përmbajtur, me çka Bullgaria u bind që ta largojë veton për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut.
Propozimi francez për heqjen e vetos bullgare u votua edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku më 16 korrik 68 deputetë i dhanë dritë jeshile hapjes së negociatave me BE-në. Para votimit deputetët e VMRO-DPMNE-së fillimisht ishin të zëshëm duke mos lejuar që të dëgjoheshin fjalimet e deputetëve të shumicës, shqyen dokumentet e propozimit dhe në shenjë revolte lëshuan sallën e kuvendit.
Vetëm 3 ditë më vonë edhe zyrtarisht filluan bisedimet. Kryeministri Dimitar Kovaçevski e cilësoi këtë si një ditë historike.
“Me këtë konferencë Maqedonia e Veriut fillon një rrugë të gjatë drejt anëtarësimit në BE. Dita e sotme është historike, shumë e pritur dhe e merituar. Pas 17 viteve po e bëjmë hapin e duhur drejt realizmit të ëndrrës”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.
Por, VMRO-DPMNE-ja vazhdoi të mbetet kundër Marrëveshjes për fqinjësi me Bullgarinë, ndërsa më 7 shtator në KShZ dhe më 9 shtator në Kuvend dorëzuan iniciativën për referendum për shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje me arsyetimin se “Marrëveshja me Bullgarinë është antikombëtare dhe antishtetërore, pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”.
Nisma nuk u mbeshtet nga partitë e tjera përveç partisë "E majta", ndërsa u refuzua edhe nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili tha se është antikushtetuese.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan skriningun me BE-në
Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheyli, paralajmëroi se procesi i skriningut mund të fillojë menjëherë pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare dhe i kujtoi RMV-së kushtet për kompletim të kësaj faze.
"Pas konferencës së parë ndërqeveritare, do të fillojë procesi i skriningut dhe ai do të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit skriningut është paraparë edhe konferencë e dytë ndërqeveritare, me të cilën duhet të kompletohet faza e hapjes së negociatave. Megjithatë, mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht vendosjen e bullgarëve më Kushtetutë", deklaroi komisari Varhelyi.
Skriningu për harmonizimin e legjislacionit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me atë të BE-së ka nisur zyrtarisht më 15 shtator dhe sipas pritshmërive do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2023. Në datat 15-27 shtator u zhvilluan takime për fushat dhe kapitullin e klasterit “Vlerat Themelore” ku Komisioni prezantoi legjislacion të ri në këto fusha. Të gjitha takimet u mbajtën në Bruksel, me përjashtim të Kapitullit 18 “Statistikat” që u mbajt në Luksemburg.
Ndryshimet kushtetuese, objektiv për vitin 2023
Për vitin 2023 pritet intensifikim i bisedimeve brenda Maqedonisë së Veriut për ndryshim të Kushtetutës. Sipas marrëveshjes, Shkupi duhet të përfshijë bullgarët dhe pakicat e tjera në Kushtetutën e vendit. Ky proces i paraprin hapjes së kapitujve të negociatave për anëtarësim.
Autoritetet në Shkup paralajmëruan se që nga fillimi i vitit 2023 do të nisin punën intensive për të bindur deputetët që të përkrahin ndryshimet. Kushtetuta në Maqedoninë e Veriut mund të ndryshohet me aprovimin e 2/3 të deputetëve, përkatësisht 80 vota pro, të cilat momentalisht nuk janë siguruara.