Viti 2024, rritet interesimi për udhëtime nga Aeroporti i Prishtinës
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" në Sllatinë, aktualisht duket një fluks relativisht i vogël udhëtarësh në prag të fundvitit, por muaji janar i vitit 2024 pritet të jetë më intensiv sipas zyrtarëve të aeroportit.
Shtetasit e Kosovës për herë të parë që nga paslufta e vitit 1999 do të mund të udhëtojnë pa regjim të vizave në vendet e Zonës Schengen.
Për vite me radhë, ata kanë pritur para ambasadave të huaja me orë të tëra për të marrë një aprovim ose refuzim vize, qoftë për t'u takuar me familjarët e tyre në vendet e Bashkimit Evropian (BE), qoftë për punë, shëndetësi, arsim, turizëm a qëllime të tjera.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" në Sllatinë, aktualisht duket një fluks relativisht i vogël udhëtarësh në prag të fundvitit, por muaji janar i vitit 2024 pritet të jetë më intensiv sipas zyrtarëve të aeroportit.
Zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara thotë për Anadolu se deri në fund të vitit pritet të bëhen 3,3 milionë udhëtarë vetëm për vitin 2023, ndërsa janari i vitit 2024, kur qytetarët nuk do të kenë regjim vizash, do të ketë udhëtarë më shumë sesa janari i këtij viti.
"Për vitin 2024 vetëm në muajin janar kemi të parapara rreth 500 fluturime më shumë në krahasim me janarin e vitit të kaluar. Kjo është ndoshta një rritje për shkak të liberalizimit të vizave dhe presim që një numër më i madh i udhëtarëve të frekuentojnë aeroportin tonë", thotë ajo.
Gara thotë se aeroporti ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura paraprake nga ana infrastrukturore dhe nga ana e përgatitjes së personelit edhe në rast se numri i udhëtarëve gjatë vitit 2024 do të jetë më i larti deri më tani.
"Ne kemi marrë të gjitha masat e duhura si nga ana e infrastrukturës po ashtu edhe nga burimet njerëzore në mënyrë që të presim çfarëdo fluksi që mund të ketë pas liberalizimit të vizave. Kemi zgjeruar hapësirat e terminalit me diku rreth 2 mijë metra katrorë më shumë. Kemi shtuar 4 dalje të reja shtesë nga 8 që ishin deri më tani", tha Gara duke shtuar se, marrë parasysh përvojën nga vendet e rajonit pas liberalizimit të vizave, pritet të ketë rritje gjatë muajve të parë të vitit por gradualisht edhe në muajt e tjerë.
Ajo potencon se Zvicra është destinacioni më i kërkuar i udhëtarëve që fluturojnë nga ky aeroport me rreth 40 për qind të të gjithë tregut, pasuar nga Gjermania, Austria, Türkiye, e kështu me radhë.
Sa u përket destinacioneve të reja, Gara tha se nga muaji maj i vitit 2024 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të shtohet edhe destinacioni për në qytetin e Izmirit (Türkiye), ndërsa nga muaji qershor i po këtij viti do të shtohet po ashtu një destinacion i ri drejt qytetit Riga (Letoni).
Qytetarët e presin të gëzuar vitin 2024 kur do të mund të udhëtojnë pa viza
Kosova ka një numër të madh të popullatës së saj që jeton në vendet e BE-së. Shumë shtetas kosovarë nuk kanë pasur rastin të udhëtojnë asnjëherë në Zonën Schengen për t'i takuar të afërmit e tyre ndërkaq nga 1 janari kjo do të jetë më e lehtë për ta.
Fadil Elshani nga Suhareka thotë se deri më tani ka marrë disa herë viza për në Zonën Schengen, por nga janari do të jetë më e lehtë për të që të shkojë për vizitë te familjarët e tij pa nevojën e të pasurit vizë në pasaportë. Ai thotë se gjatë vitit 2024 planifikon të shkojë për vizitë te familjarët.
"Besoj se do të shkoj për vizitë gjatë vitit 2024, të rri për disa javë a muaj (sipas rendit). Do të shkojë te motra, te djali, te baxhanaku dhe nëpër familjarë kudo që do të më pranojnë", thekson ai.
Ndërkaq, Banush Ukshini i cili me prejardhje është nga Ferizaji, por që jeton në Zvicër, thotë se do t’i presë familjarët dhe miqtë e tij nga Kosova për vizitë në Zvicër.
"Ne punojmë dhe jetojmë në Zvicër, jemi në kantonin Argau. Besoj se do t'i presim mysafirët, na kanë pritur edhe këta këtu në Kosovë mirë dhe edhe ne do t'i presim mirë dhe jo tash t'ua mbyllim dyert kur të vijnë në Zvicër. Pse t'ua mbyllim dyert kur ata janë familja jonë. Janë të mirëseardhur edhe ata që nuk i njohim e lërë më familja", thekson Ukshini.
Sipas tij, jeta në Zvicër është shumë e shtrenjtë dhe kosovarët me standardin që kanë nuk mund të përballojnë shumë gjatë koston e turistit në këtë vend, prandaj përparësia e tyre është që kanë familjarë që jetojnë atje.
Parlamenti Evropian (PE) më 18 prill 2023 miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si hap i fundit në këtë proces. Miratimi i këtij vendimi në PE u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. Pas vendimit për heqjen e regjimit të vizave, Qeveria e Kosovës nisi një fushatë vetëdijesuese për qytetarët në të gjitha qytetet e Kosovës, rreth kushteve dhe rregullave të udhëtimit në Zonën Schengen.