Propozimi që viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut të fillojë në mes të muajit shtator, dhe jo siç ka qenë deri më tani më 1 shtator, ende nuk është dorëzuar në Qeveri. Ministri i Arsimit i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, duke folur para mediave sot deklaroi se një diskutim i tillë ka filluar së bashku me sindikatat dhe se në disa vende mësimi në shkolla fillon më vonë.
“Nëse vendosim më 1 shtator, do të jetë e premte. Nëse vendosim për opsionin e dytë, ai do të jetë në mes të shtatorit. Opsioni i tretë është që të fillojë nga 1 shtatori, por nxënësit të kenë edhe pushim pranveror”, sqaroi Shaqiri.
Mes të tjerash, ai tha se Qeveria do të vendosë se si është më mirë për procesin arsimor, duke theksuar se këto ndryshime mund të zbatohen nga shtatori, për të cilat, sipas tij, ka kohë të mjaftueshme.
Nisja e vitit shkollor në vendet e rajonit është i ndryshëm. Në Shqipëri ai fillon nga mesi i shtatorit, kurse në Mal të Zi dhe Kroaci fillon më 5 shtator.