Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një vizitë pune presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Në takim me homologun e saj, siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë "urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Pendarovski për përkushtimin e tij personal për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku tha se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE.
Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve në Kosovë.
Sipas presidentes Osmani, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Tutje, ajo theksoi se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.
“Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, tha Osmani.
Në këtë kontekst, sipas presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP (Partneriteti për Paqe), e më pas në NATO, ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Presidenti Pendarovski rikonfirmoi qëndrimin e mbështetjes së aspiratave euroatlantike të Kosovës, si dhe qasjen aktive të Kosovës ndaj iniciativave dhe forumeve ekzistuese rajonale, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë përvojat e veta në lidhje me proceset reformuese, si në rrugën drejt BE-së dhe në lidhje me anëtarësimin në Aleancën e NATO-s.
“Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se të dyja vendet kanë një vend të rëndësishëm me rolin e tyre aktiv në përpjekjet e përbashkëta për të arritur stabilitet të përhershëm, fqinjësi të mirë dhe prosperitet ekonomik në këtë pjesë të Evropës”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Presidentit Pendarovski.
Të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.