Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që u zhvilluan sot në Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për media të mbajtur në selinë e partisë së tij, ai deklaroi se kjo është një fitore historike e popullit.
“I dashur popull i Maqedonisë, i cili gjithmonë do të ketë respektin tim më të thellë dhe para guximit të të cilit përulem thellë, ia dolëm! Maqedonia fitoi! Fitore historike e popullit”, tha Mickoski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së shpalli një kapitull të ri, me një të ardhme të bazuar në vlera dhe shpresë. Ai gjithashtu falënderoi të gjithë qytetarët, duke shtuar se nuk do t'i zhgënjejë për nderin dhe përgjegjësinë e dhënë.
Ai deklaroi se së shpejti do të nisë negociatat me partitë e tjera opozitare për të formuar “koalicionin dhe qeverinë më të mirë”.
“Kam besim se do ta formojmë këtë qeveri në kohën më të shkurtër të mundshme dhe procesi do të jetë transparent. Të nderuar miq, vëllezër e motra, qytetarë të respektuar, kjo është një fitore e dyfishtë. Koalicioni ‘Maqedonia jote’ dhe VMRO-DPMNE u ngritën dhe fituan presidentin, profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova”, tha Mickoski.
Simpatizantë të shumtë të partisë u tubuan në sheshin para selisë së VMRO-DPMNE-së, të cilëve më pas iu bashkëngjit edhe kryetari Mickoski, duke vazhduar festimet në sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit.
Rezultatet fillestare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare
Sipas të dhënave fillestare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ), në bazë të rreth 95 për qind të votave të numëruara, në zgjedhjet presidenciale kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, ka arritur të sigurojë mbi 65 për qind të votave, ndërsa Stevo Pendarovski nga radhët e LSDM-së ka grumbulluar afër 30 për qind të votave.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 24 prill, Siljanovska, e cila do të jetë presidentja e parë grua e vendit, arriti të sigurojë mbi 41 për qind të votave, dyfishi i numrit të presidentit aktual Pendarovski, i cili grumbulloi afër 20,5 për qind.
Për sa u përket zgjedhjeve parlamentare, ku kandidatët garuan për 120 ulëset e shtëpisë ligjvënëse, KShZ-ja njofton se nga afër 95 për qind të votave të numëruara VMRO-DPMNE-ja ka siguruar 59 mandate të deputetëve, LSDM-ja 19 mandate, koalicioni Fronti Evropian 18 mandate, koalicioni VLEN 13 mandate, Partia e Majtë (Levica) 6 mandate, si dhe Lëvizja ZNAM 5 mandate.
Në zgjedhjet e djeshme parlamentare, që u mbajtën së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, rreth 1,8 milion votues të regjistruar kishin të drejtën e votës në zgjedhjet e dyfishta, prej të cilëve sipas rezultateve të para të KShZ-së, në zgjedhjet presidenciale të drejtën e votës e shfrytëzuan afër 47 për qind, ndërsa në zgjedhjet parlamentare afër 54 për qind.