Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur bindje se mund të tejkalohen pengesat në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian (BE).
Shefja e Komisionit Evropian po qëndron për vizitë në Shkup në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është pritur në takim nga kryeministri Hristijan Mickoski.
“Ne kemi qëllim të qartë, hapjen e kllastereve sa më parë. Jam e bindur se mund t’i tejkalojmë pengesat”, theksoi Von der Leyen në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Mickoski.
Von der Leyen po ashtu tha se Maqedonia e Veriut ka një agjendë të shkëlqyer reformuese, duke theksuar investimet e përbashkëta në burimet e rinovueshme të energjisë.
Më tej, ajo foli edhe për ndryshimet kushtetuese, aktualisht të nevojshme për anëtarësimin e Shkupit në BE.
“Në interesin e Maqedonisë së Veriut është që të jemi të suksesshëm (me ndryshimet kushtetuese). Për mua e rëndësishme është të shikojmë kah e ardhmja, jo kah e kaluara”, theksoi ajo.
Kryeministri Mickoski, nga ana e tij, tha se pret që BE-ja ta njohë përparimin e vendin e tij.
“Mbetemi fuqishëm të përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, theksoi Mickoski.
Pas takimit me kryeministrin Mickoski, Von der Leyen takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.