Një grua është vrarë sot në Pejë, ku dorasi i dyshuar është bashkëshorti i saj.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar rastin për Anadolu, duke thënë se vrasja ka ndodhur me armë zjarri.
Nikçi tha se i dyshuari është arrestuar dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante.
“Kryeprokurori dhe Prokurori i krimeve të rënda së bashku me të gjitha njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se bashkëshorti e ka vrarë gruan e tij. I dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme. Jemi në pritje të ekipit të mjekësisë ligjore për të marrë trupin e pajetë”, ka thënë Nikçi.
Për rastin në fjalë, ka njoftuar edhe policia e cila bëri të ditur se vrasja ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton” në qytetin e Pejës.
“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën ‘Bill Clinton’ në Pejë ka ndodhur një rast dhe policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës (femër). I dyshuari i këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Kjo është vrasja e dytë brenda pesë ditëve në Kosovë, pas vrasjes së një 21-vjeçares që ndodhi më 12 prill në qytetin e Ferizajt brenda Qendrës për Punë Sociale.
Presidentja Osmani: Ky femicid duhet të ndalet me çdo kusht, nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur
Për rastin që ndodhi në Pejë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se fatkeqësisht sot të gjithë janë zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj.
“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja u ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e konsideroi vrasjen në Pejë si tronditëse dhe të patolerueshme. Ajo tha se ka mbajtur takim pas rastit me ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës.
“Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas”, shkroi Haxhiu.