Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili ka mbërritur për një vizitë në Serbi, me të cilin kanë biseduar për çështjen në rajon.
“Përfitova nga dita e bukur për të pritur ministrin Dendias, me të cilin biseduam për situatën në rajon, vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe diskutuam për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona”, shkruan Vuçiq në Instagram.
Ministria e Punëve të Jashtme greke njoftoi të martën se Dendias do të vizitojë Serbinë sot (23 mars), ku do të pritet nga presidenti Vuçiq.
Në njoftimin e MJP-së greke thuhet se pritet që bisedimet gjatë vizitës së Dendijas në Serbi të fokusohen në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pas zhvillimeve të fundit, si dhe në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor
Vizita e kryediplomatit grek në Serbi vjen disa javë pasi ai realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi takim me kryeministrin Albin Kurti.
Greqia është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian e cila ende nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.