Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski i cili po qëndron për vizitë në Serbi, ka zhvilluar takim me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ata në këtë takim u pajtuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mirat në historinë moderne.
“Ne ramë dakord që marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut janë më të mirat në historinë moderne. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të mirën e popujve tanë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Bashkëpunim me Media të presidentit të Serbisë.
Më tej bëhet e ditur se Kovaçevski ka theksuar se nuk ka më çështje të hapura mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe se partneriteti i tyre është shembull për rajonin. Ai tha se tri dokumentet, të cilat do të nënshkruhen gjatë vizitës së tij në Beograd, do t'i japin një shtysë shtesë forcimit të bashkëpunimit.
Vuçiq shtoi se Serbia është e vendosur të promovojë një agjendë pozitive të orientuar drejt së ardhmes në marrëdhëniet në rajon, gjë që mund të shihet përmes rolit të saj aktiv në nismën e "Ballkanit të Hapur" dhe se me kryeministrin Kovaçevski diskutoi për bashkëpunimin në kuadër të kësaj nisme dhe përfitimet shtesë për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit zyrtar në Beograd, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski realizoi takim edhe me homologen e tij Ana Brnabiq.
Kryeministrja e priti kolegun e saj nga Maqedonia e Veriut para Pallatit të Serbisë, e shoqëruar nga banda e Gardës së Nderit të Ushtrisë Serbe dhe këndimi i himneve kombëtare të dy vendeve.