Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do t’i shfrytëzojë institucionet e Këshillit të Evropës që të ngrejë padi për krime lufte ndaj Serbisë.
Në të njëjtën ditë me përvjetorin e dy masakrave në Kosovë, president serb këto komente i bëri gjatë vizitës në aeroportin ushtarak në Batajnicë.
“Albin Kurti deri tash ka pritur që një shtet tjetër të ngrejë padi për gjenocid ndaj Serbisë, pasi Albin Kurti nuk është vend i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk mund të bëjë padi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Mund të bëjë dikush në emër të tij dhe nuk është e lehtë kjo, është çështje shumë e vështirë politike. Pse po kërcënon tash? Për shkak të Këshillit të Evropës, për shkak të asaj që ia kanë mundësuar Dora Bakoyannis dhe shtetet perëndimore dhe do t’i përdorë institucionet e Këshillit të Evropës për të ngritur padi kundër Serbisë përmes tyre. Është pjesë e një plani masiv për presion dhe sulm ndaj popullit serb, për të cilin kam folur”, tha presidenti serb, Vuçiq.
Ai iu referua edhe deklaratave nga Bosnja e Hercegovina se Serbia duhet të mbështesë rezolutën për Srebrenicën, duke thënë se nuk e ka problem që t'u bëjë homazhe viktimave, gjë që e ka bërë edhe më parë, ndërsa vuri në dukje se boshnjakët të njëjtën për serbët e vrarë.
Më 27 mars, Republika e Kosovës e kaloi votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo hapi rrugë për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg më 15 prill.
Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti. Pranimi në anëtarësimin e Këshillit të Evropës kërkon një shumicë prej dy të tretave të 46 shteteve anëtare.