Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot është takuar në Beograd me Boris Ruge, Ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë. Presidenti serb vlerësoi se ka pasur takim të mirë për çështjet më të rëndësishme, situatën në rajon, “sigurinë në Kosovë dhe implikimet e mundshme nga vazhdimi i lëvizjeve të njëanshme të regjimit të Kurtit”, sipas tij.
“Shpreha shqetësimin e madh për tendencën për të komplikuar situatën, përkundër të gjitha përpjekjeve të Beogradit për t'i kthyer çështjet e hapura në kornizën e dialogut. Gjithashtu, theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve, që Prishtina provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme, ndikon shumë te populli serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën”, ka thënë Vuçiq në rrjetet sociale.
Ai shtoi se e falënderoi Rugen për vëmendjen që po i kushtonte kësaj çështjeje, duke qenë edhe vetë një njohës i mirë i rastit.
“Theksova se është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet diplomatike dhe të koordinohen me forcat e KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 dhe kompetencat që ato forca kanë si pjesë të mandatit të tyre, për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë, për ta kthyer Prishtinën në dialog dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve e para së gjithash formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, theksoi Vuçiq dhe shtoi se theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit ushtarak.