"Vuçiq thirrje serbëve që të tërhiqen nga barrikadat"   Foto: AA Archive

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, deklaroi sot se presidenti serb Aleksandar Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat në veri. Petkoviq theksoi se serbët nuk kanë marrë "kurrë garanci më të forta" nga ShBA dhe BE se nuk ka listë të arrestimeve dhe se serbët që janë në barrikada nuk do të persekutohen. Petkoviq theksoi se KFOR-i garanton plotësisht që forcat e sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës pa pëlqimin e dyfishtë të komandantit të KFOR-it dhe lejen e katër kryetarëve të komunave nga veriu i Kosovës ku serbët janë shumicë. Ai ka thënë se serbët nga veriu i Kosovës do të bisedojnë sonte me Vuçiqin dhe më pas do të merret vendimi për barrikadat. “Në momentin kur ishim në prag të një konflikti të rëndë dhe gjakderdhjeje, më duket se arritëm ta ruanim paqen. Po presim të dëgjojmë se cili do të jetë vendimi i serbëve nga veriu i Kosovës”, tha Petkoviq. BE dhe ShBA: Po punohet për gjetjen e zgjidhjes Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të ulur tensionet dhe të shmangin provokimet, kërcënimet dhe frikësimet. Në një deklaratë të përbashkët të BE-së dhe Departamentit të Shtetit të ShBA-së, thuhet se po punohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike për të ulur tensionet. “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e tensionuar që po vazhdon të mbizotërojë në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për përmbajtje maksimale, të mos marrin masa të menjëhershme dhe të pakusht për të ulur tensionet, dhe të frenohen nga provokimet, kërcënimet e frikësimet. Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në deklaratë. Nga 10 dhjetori, në disa rrugë në veri të Kosovës janë vendosur barrikada nga serbët lokalë, duke bllokuar lëvizjen e lirë, si reagim pas arrestimit të ish-policit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq. Ish-policit Pantiq së fundmi iu ndryshua masa nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak nga autoritetet e drejtësisë të Kosovës.

AA