Pas vizitave në Prishtinë e Beograd, Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias po qëndron sot për vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga homologia nga Shqipëria, Olta Xhaçka.
Përveç rikonfirmimit të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, Xhaçka dhe Dendias folën edhe për çështjet e hapura mes Tiranës dhe Athinës, veçanërisht për çështjen e kufirit detar. Ministrja e Shqipërisë Olta Xhaçka tha se zgjidhja e këtij “problemi të trashëguar” është në interes të të dyja palëve dhe ka vullnet për kompromis.
“Në këtë kuadër të diskutimit të rrugëve për kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara historike, një nga çështjet e trajtuara ishte edhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje në interes të dy vendeve tona. Të dyja palët kanë vullnetin për kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha Xhaçka.
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias nga ana tjetër theksoi se e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e detit janë bazë për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve.
“Mendoj se zgjidhja e kësaj çështjeje dhe ligjit të luftës dhe dy marrëveshjeve të tjera për shmangien e episodeve në kufi dhe e mirëmbajtjes së piramidave kufitare dërgojnë një mesazh për komunitetin ndërkombëtar se e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e detit përbëjnë bazën për zgjidhjen e të gjitha diferencave ndërshtetërore”, deklaroi Dendias.
Dendias tha gjithashtu se për Greqinë është e rëndësishme fqinjësia e mirë dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.