Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut inkurajoi aktorët politikë, që t’i përmbushin angazhimet për t’i hapur rrugë procesit të integrimit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Bujar Osmani, Xhaçka tha se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut është kthyer në një model të bashkëpunimit mes fqinjëve në rajonin tone.
Ministrja duke u ndalur në temat e diskutimit me Osmanin informoi se është folur për intensifikimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët.
“Korridori 8 duhet të shërbejë si boshti i bashkëpunimit e shkëmbimeve mes vendeve tona”, tha ajo.
Sipas ministres Xhaçka është përgjegjësi e dy vendeve të thellojnë reformat dhe të bashkëpunojnë ngushtë, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
“Viti 2022 ka qenë historik për dy vendet tona dhe për gjithë rajonin në tërësi. Samiti i BE-BP-së, që u mbajt në Tiranë, ishte sinjal i qartë i ruajtjes së fokusit të BE-së ndaj rajonit tonë. Inkurajoj aktorët politikë në RMV, që t’i përmbushin angazhimet për t’i hapur rrugë procesit të integrimit”, deklaroi ministrja.
Xhaçka vlerësoi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në RMV, duke e cilësuar atë të patjetërsueshëm.
”Kanë dëshmuar se janë kontributorë të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit”, theksoi ajo. Aleatët në NATO me harmonizimin qind për qind të politikës së tyre të jashtme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dërguan një mesazh të qartë për përkatësinë dhe përkushtimin tonë të qartë ndaj parimeve dhe vlerave perëndimore, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Prioritet mbetet lidhja infrastrukturore përmes Korridorit 8, siç bëri me dije Osmani, për të cilin janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e lidhjes së autostradës.
"Duhet të vazhdojmë me aktivitete intensive për zbatimin e detyrimeve dhe shfrytëzimin e përfitimeve në kuadër të iniciativave rajonale, këtu e kam fjalën në radhë të parë për procesin e Berlinit. Bashkëpunimi ekonomik është i suksesshëm, por i pamjaftueshëm, na duhet obligimi ynë që bizneseve dhe qytetarëve t'u ofrojmë edhe më shumë potencial për shkëmbim dhe bashkëpunim, thekson Osmani.
Kryediplomatja shqiptare Xhaçka, po ashtu nesër (28 mars), do të marrë pjesë në takimin informal ministerial të Kartës së Adriatikut A5.