Zëvendëskryeministri dhe ministri italian i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, po zhvillon një vizitë në Shqipëri.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, është takuar sot me homologun Tajani, ndërkohë kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se kanë diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
"Diskutuam mënyrat për të forcuar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dypalësh përpara takimeve të tij në Shqipëri sot", ka shkruar Hasani në rrjetet sociale në lidhje me takimin me Tajanin.
Ndërkohë, Tajani do të takohet gjatë ditës së sotme edhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa është planifikuar edhe një vizitë në Portin e Shëngjinit për të inspektuar zonën ku është planifikuar të ndërtohet qendra e identifikimit të emigrantëve.
Kujtojmë se më 6 nëntor 2023 mes Shqipërisë dhe Italisë është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, marrëveshje e cila ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Itali. Protokolli, që parashikon ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njoftoi më 13 dhjetor se ka vendosur të kalojë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës mbi kontrollin e kushtetutshmërisë së protokollit, duke pezulluar procedurat e ratifikimit në Kuvend.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.