Më 17 prill në Kroaci mbahen zgjedhjet parlamentare, në të cilat garojnë 2.302 kandidatë, në gjithsej 165 lista. Paraprakisht, më 16 prill nis votimi në selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kroacisë
Diaspora zgjedh tre përfaqësues në 41 shtete
Shtetasit kroatë pa vendbanim në Kroaci do të zgjedhin tre nga gjithsej 151 anëtarë të Parlamentit, në zonën e 11-të zgjedhore, e cila përfshin gjithsej 41 vende.
Nga 110 vendvotime në diasporë, shumica janë në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 43, dy më pak se në zgjedhjet e mëparshme të mbajtura në vitin 2020, si dhe votimi do të bëhet në gjithsej shtatë qytete të BeH-së.
Shumica e vendvotimeve do të hapen në Mostar (22), pesë në Vitez, katër në Sarajevë, dy në Tuzla, një në Banja Llukë, ndërsa katër vendvotime do të hapen në Livno.
Në Gjermani do të hapen 12 vendvotime, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi do të hapen nga katër vendvotime, për Italinë dhe Serbinë janë caktuar tri vendvotime - një në Beograd, dy në Suboticë. Nga dy qendra votimi ka në Mal të Zi, Austri, Hungari, Zvicër dhe Kanada, ndërsa një vendvotim do të hapet në të gjitha vendet e mbetura.
Tetë përfaqësues të pakicave kombëtare
Minoritetet përfshihen në zonën e 12-të zgjedhore, ku zgjidhen tetë përfaqësues të minoriteteve. Serbët, si pakica më e madhe kombëtare në Kroaci, kanë të drejtën e tre përfaqësuesve parlamentar. Kuvendi ka një përfaqësues të pakicave kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.