Situata me zjarrin që shpërtheu në zonën e Zhupës në qytetin Dubrovnik në Kroaci, mëngjesin e sotëm është tanimë më e mirë.
Zjarrfikësit luftuan me zjarret gjatë gjithë natës dhe me forcë mbinjerëzore arritën ta parandalojnë përhapjen e tij në shtëpitë e banueshme.
Shefi i zjarrfikësve të qarkut Stjepan Simoviq tha për Anadolu se zjarri që kërcënoi shtëpitë mbrëmë, para agimit rreth orës 4 të mëngjesit, është vënë nën kontroll.
“Gjatë mëngjesit situata është shumë më e mirë, duhet të jemi vigjilentë sepse fronti është i madh, por edhe që erërat e forta që frynë dje të mos përsëriten sot, sepse në kushte të tilla dje ishte e vështirë, pothuajse e pamundur të veprohet. Asnjë objekt nuk është dëmtuar, dhe gjatësia e frontit është rreth gjashtë kilometra. Zjarrfikësit do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë ditës, ndërsa dy avionë kanader kanë ardhur në ndihmë të zjarrfikësve", tha Simoviq.
Mbrëmjen e djeshme në shuarjen e zjarrit në zonën e Zhupës kanë marrë pjesë mbi 150 zjarrfikës, ndërsa rreth 120 do të vazhdojnë punën edhe sot, pasi situata është më e favorshme. Situata ishte veçanërisht e vështirë mbrëmë në Zhupë, pasi ndërtesat e banimit ishin në afërsi të frontit të zjarrit. Vendet nga Solin, përmes Mlinit në Buić ishin në rrezik, shtoi Simoviq.