Kryesuesi i ri i OSBE-së dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nëpërmjet motos "Fjala është për njerëzit", konfirmoi angazhimet kryesore për prioritetet në të cilat do të fokusohet presidenca e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në gjatë vitit 2023.
Kryesuesi Osmani mbajti fjalim sot në Vjenë para Këshillit të Përhershëm, ndërsa më pas mbajti një konferencë të përbashkët për media me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid.
"Me nder të madh dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie e kam zyrtarizuar sot presidencën e OSBE-së të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023", tha Osmani në fillim të konferencës për media.
Ai theksoi se sfida më e madhe në zbatimin e agjendës do të jetë në kontekstin e rrethanave të vështira, por, sipas tij, uniteti rreth parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së janë burim shprese dhe inkurajimi.
"Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili minon vetë themelet dhe angazhimet e Organizatës, e forcon këtë unitet. Sot vlerat tona duken më të rëndësishme se kurrë. Sfidat aktuale nuk janë arsye për disfatizëm, por për nxitje për të forcuar përpjekjet dhe angazhimin tonë", tha Osmani.
Parandalimi i vuajtjeve, qëllim i OSBE-së
Kryesuesi i OSBE-së theksoi se Ukraina do të vazhdojë të jetë prioriteti kryesor, por gjithashtu lart në agjendë do të jenë edhe konfliktet e tjera afatgjata në rajonin e OSBE-së, të cilat janë burim tensionesh dhe vuajtjesh njerëzore.
"Fokusi ynë këtu në Hofburg duhet të jetë te njerëzit. Ata duhet të jenë në qendër të vëmendjes dhe mendimeve tona. Dua ta bëj të qartë: ne punojmë për ta. Ndaj, motoja dhe forca lëvizëse e kryesimit është: 'Fjala është për njerëzit'. Ekziston, do të thosha, një lidhje organike midis saj dhe misionit të përgjithshëm të OSBE-së. OSBE-ja është krijuar për këtë arsye, qëllimi i saj kryesor është të parandalojë vuajtjet njerëzore", tha Osmani.
Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, në fjalën e saj theksoi se OSBE-ja e nis vitin mes sfidave të mëdha.
"Jam plotësisht dakord me atë që thatë këtu dhe në Këshillin e Përhershëm, se puna e OSBE-së ka të bëjë me njerëzit. Nuk jam e vetmja që mendoj kështu. Unë kam qenë me ju tani në Këshillin e Përhershëm dhe ka pasur kaq shumë mbështetje për prezantimin tuaj, por do të thosha gjithashtu edhe besim në udhëheqjen tuaj personale", tha Schmid.
Ajo tha se lufta në Ukrainë mbetet një prioritet, duke kujtuar se tre anëtarë të stafit të OSBE-së në rajonet Donetsk dhe Luhansk ende mbeten në paraburgim të paligjshëm në kushte të panjohura, pavarësisht përpjekjeve për t'i liruar ata.
Schmid theksoi se përpjekjet dhe aktivitetet e OSBE-së do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të botës, për shumë çështje si lufta kundër korrupsionit, ndryshimet klimatike ose çështje të tjera në rajone të ndryshme.