Gjatë vitit 2022 janë shënuar disa arritje të rëndësishme në shkencë. Eksplorimi i hapësirës, testimi i teknologjive për dërgimin e njerëzve në hënë, mbrojtja e Tokës nga asteroidët dhe zhvillimi i teknologjisë për krijimin e një burimi të qëndrueshëm dhe të pastër të energjisë nga shkrirja bërthamore, janë fushat ku u ça akulli me rezultate konkrete.
TRT Balkan ju sjell pesë nga shumë ngjarjet e rëndësishme që shënuan vitin 2022 në fushën e shkencës.
Fotografitë e para nga teleskopi James Webb
Më 12 korrik të këtij viti, NASA publikoi fotografitë e para mahnitëse të teleskopit më të fundit, James Webb, që kushtoi 10 miliardë dollarë.
Fotografitë sollën pamje të detajuara dhe të largëta të hapësirës në spektrin infra të kuq. Një prej fotografive tregonte prezencën e ujit në një planet 1.150 vite drite larg Tokës.
Në muajt që pasuan, u publikuan më shumë fotografi nga hapësira, Jupiteri, Marsi dhe galaktika Cartwheel, duke mahnitur astronomët dhe publikun.
Përveç spektaklit vizual, pamjet përmbajnë edhe të dhëna që do t'u ndihmojnë shkencëtarëve të studiojnë formimin e galaksive dhe yjeve të para.
Përplasja e satelitit në asteroid
NASA drejtoi një satelit që të godasë asteroidin Dimorphos në shtator, në kuadër të misionit DART për të ndryshuar trajektoren e asteroidit.
Përplasja u transmetua drejtpërdrejt për t'i treguar botës një provë të ridrejtimit të asteroidëve për të mbrojtur Tokën në të ardhmen.
Përplasja ka qenë një punë shtatëvjeçare dhe NASA donte të shihte nëse ishte e mundur të drejtonte manualisht një satelit për t'u përplasur me një asteroid dhe të devijonte rrugën e tij për të parandaluar një ndikim potencialisht katastrofik në Tokë.
Para se të godiste Dimorphos, DART rriti shpejtësinë e tij në rreth 24 mijë kilometra në orë.
Disa ditë më vonë u konfirmua se goditja ka qenë e suksesshme dhe asteroidi ka ndërruar trajektore. Ky test do t'i ndihmojë organizimit të “mbrojtjes planetare”, në rast kur Toka mund të jetë nën kërcënimin e përplasjes së ndonjë asteroidi.
Gjendet ADN e vjetër 2 milionë vjet
Në dhjetor të këtij viti, shkencëtarët njoftuan zbulimin në Grenlandë të ADN-së që daton dy milionë vjet më parë – më e vjetra e nxjerrë ndonjëherë – në sedimentin nga Epoka e Akullit, duke hapur një kapitull të ri në paleogjenetikë.
“Ne po thyejmë barrierën e asaj që menduam se mund të arrinim për sa u përket studimeve gjenetike”, tha Mikkel Winther Pedersen, bashkautor i një studimi të ri të botuar në revistën shkencore ‘Nature’.
“Ka kohë që mendohej se një milion vjet ishte kufiri i mbijetesës së ADN-së, por tani kemi një që është dy herë më e vjetër”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Ata gjetën fragmentet e ADN-së në sediment nga pjesa më veriore e Grenlandës e njohur si Kap Kopenhagen, tha mësimdhënësi i Universitetit të Kopenhagës.
Fragmentet “vijnë nga një mjedis që nuk e shohim askund në Tokë sot”, shtoi ai. E ngrirë në një zonë të largët dhe të papopulluar, ADN-ja ishte ruajtur shumë mirë.
Teknologjia e re u mundësoi shkencëtarëve të përcaktojnë se 41 fragmentet ishin më shumë se një milion vjet më të vjetër se ADN-ja më e vjetër e njohur, nga një mamoth siberian (elefant shumë i madh i një epoke parahistorike).
ADN-ja është materiali vetëpërsëritës që mbart informacion gjenetik në organizmat e gjallë – një lloj plani i jetës.
Misioni hënor Artemis 1
Anija kozmike Orion u lançua më 16 nëntor, në një mision 26-ditor në hapësirë. Orion udhëtoi 2.2 milionë kilometra, duke kompletuar dy fluturime afër Hënës dhe duke iu afruar sipërfaqes së saj deri 128 kilometra largësi.
“Që nga lançimi i raketës më të fuqishme të botës deri tek udhëtimi i jashtëzakonshëm rreth Hënës dhe rikthimi në Tokë, ky test fluturim është hap i madh për eksplorimet e Hënës nga gjenerata Artemis”, tha administratori i NASA-s Bill Nelson.
Artemis I është faza e parë e misionit për dërgimin e njerëzve në Hënë. Në këtë fazë nuk kishte ekipazh, por testoheshin disa teknologji. Pas përfundimit të fazës Artemis II, në fund Artemis III do të tentojë aterimin e astronautëve në sipërfaqen e Hënës.
“Kjo hap rrugën për misione të rregullta dhe prezencë të qëndrueshme të njerëzve në Hënë për qëllime shkencore dhe për të përgatitur misionet njerëzore për në Mars”, tha Jim Free nga NASA.
Orion u rikthye dhe ateroi me sukses në Oqeanin e Qetë më 12 dhjetor. Sipas të dhënave të publikuara nga NASA, gjatë rihyrjes në atmosferë, Orion përballoi temperatura sa gjysma e nxehtësisë në sipërfaqen e diellit, deri 2.700 gradë celsius.
Fuzioni bërthamor si burim energjie
Shkencëtarët në ShBA arritën që për herë të parë të prodhojnë energji më shumë se sa kishin investuar nëpërmjet procesit të shkrirjes bërthamore (fuzionit bërthamor).
Sekretarja e Energjisë e ShBA-së, Jennifer Granholm, ka njoftuar “përparimin e jashtëzakonshëm shkencor” në përpjekjet e gjata me dekada për të zhvilluar energji të pakufishme të pastër nga shkrirja bërthamore.
“Thënë thjesht, kjo është një nga aktet shkencore më mbresëlënëse të shekullit të 21-të”, tha Granholm në laboratorin kombëtar ‘Lawrence Livermore’, një nga vendet e shumta në botë ku studiuesit janë përpjekur të zhvillojnë mundësinë e shfrytëzimit të energjisë nga shkrirja bërthamore.
Granholm tha se është “hera e parë e bërë ndonjëherë në një laborator kudo në botë”, duke shtuar se studiuesit kanë punuar në teknologji për më shumë se 60 vjet.
Ajo tha se energjia nëpërmjet shkrirjes mund të përdoret për të prodhuar energji elektrike të pastër për karburantet e transportit për të fuqizuar industrinë e rëndë dhe për një ekonomi të energjisë së pastër.
Shkrirja, që ndodh kur dy bërthama kombinohen për të formuar një bërthamë të re, sipas Departamentit të Energjisë së ShBA-së, ofron një burim të mundshëm të energjisë afatgjate që dhe nuk prodhon gazra serrë ose mbetje radioaktive.
Shkrirja bërthamore (fuzioni bërthamor) është proces që furnizon me energji edhe diellin dhe yjet e tjera. Funksionon duke shkrirë dy atome të lehta në një – proces që lëshon shumë energji, pa ndotje bërthamore.