Anija kozmike Orion ateroi në ujërat e Oqeanit Atlantik pas një rikthimi të suksesshëm 26-ditor në misionin Artemis I. Që nga lançimi më 16 nëntor, Orion udhëtoi 2.2 milionë kilometra, duke kompletuar dy fluturime afër Hënës dhe duke iu afruar sipërfaqes së saj deri 128 kilometra largësi.
“Që nga lançimi i raketës më të fuqishme të botës deri tek udhëtimi i jashtëzakonshëm rreth Hënës dhe rikthimi në Tokë, ky test fluturim është hap i madh për eksplorimet e Hënës nga gjenerata Artemis”, tha administratori i NASA-s Bill Nelson.
Artemis I është faza e parë e misionit për dërgimin e njerëzve në Hënë. Në këtë fazë nuk kishte ekipazh, por testoheshin disa teknologji. Pas përfundimit të fazës Artemis II, në fund Artemis III do të tentojë aterimin e astronautëve në sipërfaqen e Hënës.
“Kjo hap rrugën për misione të rregullta dhe prezencë të qëndrueshme të njerëzve në Hënë për qëllime shkencore dhe për të përgatitur misionet njerëzore për në Mars”, tha Jim Free nga NASA.
Sipas të dhënave të publikuara nga NASA, gjatë rihyrjes në atmosferë, Orion përballoi temperatura sa gjysma e nxehtësisë në sipërfaqen e diellit, deri 2700 gradë celsius.