Ja çfarë dihet për praninë e ujit të ngrirë në Hënë – dhe pse agjencitë hapësinore dhe kompanitë private e shohin atë si një çelës për një koloni hënore, minierat hënore dhe misionet e mundshme në Mars.
Si e gjetën shkencëtarët ujin në Hënë?
Qysh në vitet e 1960-ta, para uljes së parë të Apollos, shkencëtarët kishin spekuluar se uji mund të ekzistonte në Hënë.
Mostrat që ekuipazhet e Apollos i kthyen për analizë në fund të viteve të 1960-ta dhe në fillim të viteve të 1970-ta dukeshin të thata.
Në vitin 2008, studiuesit e Universitetit Brown rishikuan ato mostra hënore me teknologji të re dhe gjetën hidrogjen brenda rruazave të vogla të qelqit vullkanik.
Në vitin 2009, një instrument i NASA-s në bordin e sondës Chandrayaan-1 të Organizatës Indiane të Kërkimit Hapësinor zbuloi ujë në sipërfaqen e hënës.
Në të njëjtin vit, një tjetër sondë e NASA-s që goditi polin jugor gjeti akull uji nën sipërfaqen e hënës.
Një mision i mëparshëm i NASA-s, 1998 Lunar Prospector, kishte gjetur prova se përqendrimi më i lartë i akullit të ujit ishte në krateret me hije të polit jugor.
Pse është i rëndësishëm uji në Hënë?
Shkencëtarët janë të interesuar rreth zgavrave të akullit të lashtë të ujit, sepse ato mund të sigurojnë një regjistrim të vullkaneve hënore, materialit që kometat dhe asteroidët dërguan në Tokë dhe origjinën e oqeaneve.
Nëse akulli i ujit ekziston në sasi të mjaftueshme, ai mund të jetë një burim uji i pijshëm për eksplorimin e Hënës dhe mund të ndihmojë në ftohjen e pajisjeve.
Ai gjithashtu mund të zbërthehet për të prodhuar hidrogjen për karburant dhe oksigjen për të marrë frymë, duke mbështetur misionet në Mars ose punimet minerale hënore.
Traktati i Kombeve të Bashkuara për Hapësirën e Jashtme i vitit 1967 ndalon çdo komb të pretendojë pronësinë e hënës. Nuk ka asnjë dispozitë që do të ndalonte operacionet tregtare.
Një përpjekje e udhëhequr nga ShBA-ja për të vendosur një sërë parimesh për eksplorimin e Hënës dhe përdorimin e burimeve të saj, Marrëveshja e Artemidës, ka 27 nënshkrues. Kina dhe Rusia nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje.
Çfarë e bën polin e jugut veçanërisht të ndërlikuar?
Përpjekjet për ulje në Hënë kanë dështuar më parë. Anija ruse Luna-25 ishte planifikuar të ulej në polin jugor këtë javë, por doli jashtë kontrollit duke u afruar drejt saj dhe u përplas të dielën.
Poli jugor – larg rajonit ekuatorial të shënjestruar nga misionet e mëparshme, duke përfshirë uljet e Apollos me ekuipazh – është plot me kratere dhe kanale të thella.
Misioni Chandrayaan-3 i ISRO-s është në rrugën e duhur për një tentativë uljeje të mërkurën, ka thënë agjencia hapësinore. Misioni i mëparshëm indian dështoi në vitin 2019 për t’u ulur në mënyrë të sigurt pranë zonës së shënjestruar nga Chandrayaan-3.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kina kanë planifikuar misione në polin jugor.