Adhuruesit e apasionuar të sportit shpesh janë të gatshëm të japin pasuri të tërë për disa nga pajisjet që dikur u përkisnin sportistëve të tyre të preferuar ose që lidhen me ndonjë ngjarje të madhe.
Ata nuk zgjedhin mjetet për të përvetësuar fanellën, atletet ose këpucët të veshura nga heronjtë e tyre sportivë apo topin me të cilin është luajtur ndonjë ndeshje. Gjatë historisë, por edhe kohët e fundit, ato shiten për shuma milionëshe.
Shtatë milionë funte për fanellën e Maradonës
Fanella e Diego Armando Maradonës nga ndeshja kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986 është fanella më e paguar në ankand. Një blerës anonim në një ankand në Britaninë e Madhe ndau 7,1 milionë funte për të.
Për 36 vite, pronar i fanellës ishte ish-përfaqësuesi anglez Steven Hodge, me të cilin Maradona e ndërroi fanellën pas ndeshjes. Hodge e kishte kundërshtuar prej kohësh shitjen e fanellës së Maradonës.
Ndeshja në të cilën Maradona kishte veshur këtë fanellë përfundoi me fitore 2:1 të Argjentinës. Maradona i shënoi të dy golat për argjentinasit. Njëri njihet si goli i “dorës së Zotit” për shkak të mënyrës së diskutueshme të shënimit.
Fanella e George Ruth-it në vendin e dytë dhe të tretë
Para Maradonës, fanella e lojtarit amerikan të bejsbollit George Herman Ruth, i njohur si Babe Ruth, mbante rekordin botëror për fanellën më të shtrenjtë. Fanella e Ruth-it e ekipit Yankees e vitit 1928 u shit për 5,6 milionë dollarë në shtëpinë e ankandit Hunt.
Është interesante që një tjetër fanellë e Ruth-it, por nga viti 1920, ishte fanella e dytë më e shtrenjtë. Kjo veshje sportive ishte paguar 4,4 milionë dollarë. Sipas ekspertëve amerikanë të bejsbollit, kjo fanellë karakterizohej nga fakti se mbishkrimi Yankees ishte në pjesën e përparme për herë të parë.
Fanella e Michael Jordan-it u shit për 1,3 milion dollarë
Jo vetëm në bejsboll dhe futboll, por edhe në basketboll janë të shpeshta rastet e fanellave të paguara shtrenjtë. Fanella blu e çelët me numër 23 e basketbollistit më të mirë Michael Jordan nga koha e studimeve kur luante për Universitetin e Karolinës së Veriut u shit për 1,38 milion dollarë. Fanella daton nga viti 1983 dhe u shit nga shtëpia e ankandeve Heritage.
Miliona për fanellat e hokejistëve
Rreth 1,27 milion dollarë u ndanë nga një tifoz hokeji për fanellën e lojtarit kanadez Paul Henderson. Me të, Henderson luajti kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1972.
Fanella e hokejistit Mike Eruzione e vitit 1980, gjithashtu nga një ndeshje kundër BRSS-së, u shit në ankand në vitin 2013 për 657.250 dollarë.