Parisi rinovon sheshin e madh, përgatitet për Olimpiadën 2024 /   Foto: AA

Parisi po përgatitet me shpejtësi për Lojërat Olimpike 2024 me një rinovim të konsiderueshëm të sheshit ikonik Concorde, më i madhi dhe një nga sheshet më të famshme në kryeqytetin francez.

"Concorde" me një sipërfaqe prej 21,3 hektarësh është sheshi më i madh në Paris dhe i dyti më i madh në Francë. Ndodhet në qendër të qytetit në lagjen e tetë. Champs-Elysees Avenue fillon prej saj dhe përfundon në Arc de Triomphe.

Po punohet për rinovimin e sheshit, i cili do të presë një sërë ngjarjesh olimpike, duke përfshirë basketboll tre-me-tre, stil i lirë BMX, breakdancing dhe skateboarding.

Projekti i rinovimit synon transformimin e sheshit në një vend që mund të presë këto ngjarje sportive, me fokus të veçantë në krijimin e infrastrukturës së përshtatshme për sportistët dhe spektatorët.

Një nga hapat fillestarë përfshin mbrojtjen e dritave të rrugëve të shekullit të 19-të duke i mbuluar ato me struktura druri për t'i mbrojtur gjatë procesit të ndërtimit.

Gjithashtu, do të ndërtohet një platformë e madhe për të mbuluar kalldrëmin, e cila do të vendosë themelet e një stadiumi 30 mijë vendesh në shesh.

Procesi i ndërtimit pritet të zhvillohet me faza dhe nga data 1 qershor. Sheshi parashikohet të mbyllet për trafik në përgatitje për Lojërat Olimpike.

Lojërat Olimpike në Paris do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024.

Për herë të parë ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike nuk do të mbahet në stadium, por buzë lumit.


AA