Erdoğan bisedoi me Rutten: Sulmet ndaj Kuranit nuk arsyetohen. / Photo: AA

Në një bisedë telefonike me kryeministrin holandez, presidenti turk ka kritikuar ashpër aktivitetet e grupit terrorist PKK/PYD/YPG në Suedi.

Duke diskutuar për aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, Recep Tayyip Erdoğan i tha Mark Ruttes se, edhe pse Suedia ka ndërmarrë hapa të favorshëm duke bërë ndryshime në ligjin e ri antiterror, hapat do të ishin të pakuptimtë për sa kohë që mbështetësit e grupit terrorist organizojnë lirisht demonstrata në këtë vend, thuhet në komunikatën e Drejtorisë Turke të Komunikimeve.

Lidhur me sulmet ndaj librit të shenjtë mysliman, Kuranit, në Suedi, Erdoğan tha se sulmet nuk mund të justifikohen nën maskën e lirisë së mendimit dhe ky është qartësisht një “krim i shprehjes”.

Duke kujtuar se vitin e ardhshëm do të festohet 100-vjetori i Marrëveshjes së Miqësisë Türkiye-Holandë, presidenti turk shprehu besimin se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë.

Të dy ranë dakord gjithashtu se një nga pikat më të rëndësishme të agjendës së samitit të NATO-s, i cili do të mbahet në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, më 11-12 korrik, do të jetë lufta Rusi-Ukrainë.

TRT Balkan / agjencitë