Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se blloku është i gatshëm t'i mbështesë të gjitha përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Sudan.
"Pas 15 muajsh luftë, palët ndërluftuese në Sudan duhet të ndalojnë këtë tragjedi të krijuar nga njeriu dhe të vijnë në tryezën e negociatave. BE-ja është e gatshme të mbështesë të gjitha përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, përfshirë bisedimet e planifikuara për armëpushim nga ShBA-ja, të bashkorganizuara nga Zvicra dhe Arabia Saudite më 14 gusht", tha Borrell.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se bisedimet do të zhvillohen në Zvicër dhe do të përfshijnë si vëzhgues Unionin Afrikan, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kombet e Bashkuara (OKB).
Lufta në Sudan shpërtheu në muajin prill të vitit 2023 midis gjeneralit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe komandantit të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Mohamed Hamdan Dagalo, për mosmarrëveshjet rreth integrimit të RSF-së në ushtri.
Konflikti ka shkaktuar krizë shkatërruese humanitare, ndërsa si pasojë e përleshjeve janë vrarë afër 16 mijë njerëz dhe miliona janë zhvendosur.