Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha sot se bota është “më e sigurt” pas vrasjes izraelite të liderit të Hezbollahut Hassan Nasrallah në Liban dhe i bëri thirrje diplomacisë që të garantojë sigurinë midis Izraelit dhe Libanit.
“Hasan Nasrallah ishte terrorist brutal, viktimat e shumta të të cilit përfshinin amerikanë, izraelitë, civilë në Liban, civilë në Siri dhe shumë të tjerë gjithashtu”, tha Blinken në fjalën e tij hyrëse në takimin ministror të Koalicionit Global kundër DEASh-it.
“Libani, rajoni, bota janë më të sigurta pa të”, tha ai.
Kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë me partnerët e tij në rajon dhe në mbarë botën për të avancuar një “rezolutë diplomatike që ofron siguri të vërtetë në Liban dhe lejon qytetarët nga të dyja anët të kthehen në shtëpitë e tyre”.
Ai vuri në dukje se ShBA-ja do të vazhdojë gjithashtu të punojë për të siguruar një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbim pengjesh në Gaza, e cila, tha ai, “ruan mundësinë e një paqeje më të qëndrueshme dhe të sigurt për gjithë rajonin”.
“Diplomacia mbetet rruga më e mirë dhe e vetme për arritjen e stabilitetit më të madh në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’i çuar urgjentisht përpara këto përpjekje”, shtoi ai.
Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit të premten.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 960 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.770 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë afro 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.