Erdoğan: Izraeli po përhapë “flakët e konfliktit” në gjithë Lindjen e Mesme / Photo: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se zbatimi i një embargoje gjithëpërfshirëse të armëve kundër Izraelit është një domosdoshmëri për të rritur presionin ndaj Tel Avivit për të ndaluar luftërat në Gaza dhe Liban.

“Presidenti Erdoğan theksoi se vendosja e një embargoje gjithëpërfshirëse të armëve (kundër Izraelit) është e nevojshme për të rritur presionin”, tha Drejtoria e Komunikimeve e vendit në X pas takimit të presidentit me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Ai tha se Tel Avivi po përpiqet të përhapë “flakët e konfliktit” në gjithë Lindjen e Mesme dhe ka “qëllim për t’i lënë palestinezët pa tokë në atdheun e tyre”.

“Gjatë takimit u diskutuan çështje rajonale dhe globale, duke përfshirë sulmet e Izraelit në territoret palestineze dhe libaneze”, thuhet në njoftim.

Ai ka përsëritur se Ankaraja do të vazhdojë të ndjekë “të gjitha rrugët për të siguruar që krimet e Izraelit të mos mbeten pa u ndëshkuar”.

Për më tepër, Erdoğan ka shprehur shpresën e Türkiyes se tensionet në Siri, Libi, Somali dhe Etiopi do të zgjidhen shpejt, duke i lejuar ato rajone të arrijnë paqen, qetësinë dhe stabilitetin.

TRT Balkan / agjencitë