Gantz: Izraeli do të hyjë në Rafah dhe do të kthehet në Khan Younis / Foto: AA Arkiv

Anëtari i kabinetit të luftës i Izraelit, Benny Gantz tha të mërkurën se Hamasi është mposhtur ushtarakisht dhe se ushtria do të hyjë në Rafah dhe do të kthehet në Khan Younis, raportojnë mediat izraelite.

"Nga pikëpamja ushtarake - Hamasi është mposhtur. Luftëtarët e tij janë eliminuar ose janë të fshehur dhe aftësitë e tij janë gjymtuar," tha Gantz pas një takimi të partisë së tij të Unitetit Kombëtar në qytetin jugor izraelit të Sderot, sipas për The Times of Israel.

“Ne do të hyjmë në Rafah. Do të kthehemi në Khan Younis. Do të operojmë edhe në Gaza. Kudo që ka objektiva terroriste”, shtoi ai.

Kanali 12 i Izraelit raportoi se kishte "mosmarrëveshje dhe diskutime të ashpra" midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe disa prej ministrave të tij, nga njëra anë, dhe shefit të Shtabit Herzi Halevi, nga ana tjetër, në lidhje me shtyrjen e një operacioni ushtarak në qytetin Rafah në jug të Gazës.

Kanali deklaroi se "një diskutim i nxehtë shpërtheu në mbledhjen e zgjeruar të kabinetit të luftës të martën pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Khan Younis dhe shtyrjes së operacionit në Rafah".

Kabineti u takua vonë të martën në kontekstin e bisedimeve mbi një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Khan Younis, tha kanali.

Gjatë takimit, Ministri i Drejtësisë Yariv Levin pyeti:

"Si mund të tërhiqen forcat nga Khan Younis para Fitër Bajramit?"

Halevi u përgjigj:

"Ne e përfunduam manovrën atje dhe i shteruam objektivat tona tani për tani, dhe ne duam të rinovojmë forcat tona dhe të përgatitemi për Rafah."

Siç raportohet nga Channel 12, Ministri i Financave i Izraelit Katz ndërhyri në diskutim, duke thënë:

"Pse po presim? Duhet të jemi tashmë atje".

Netanyahu, i cili varet nga aleatët e ekstremit të djathtë për të mbajtur qeverinë e tij në pushtet, nuk heshti dhe iu drejtua Halevit, duke i thënë: "Pse nuk propozuat fillimisht hyrjen në jug dhe në veri?".

Halevi u përgjigj duke thënë:

"Për sa i përket Rafahs, unë rekomandoj të mos diskutohet për kohën e hyrjes. Pasi armiku të kuptojë saktësisht se kur dhe si do të ndodhë, do të rezultojë në viktima”.

TRT Balkan / agjencitë