Gaza, rritet në 32.226 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite         / Foto: AA

Të paktën 84 palestinezë të tjerë u vranë në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit, derisa Izraeli vazhdon sulmet në enklavën e rrethuar.

“Forcat okupuese izraelite kryen tetë masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 84 martirë dhe 106 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e kërkim-shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza.

Numri i palestinezëve të vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar ka arritur në të paktën 32.226, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 74.518 të tjerë janë plagosur. Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Lufta në Gaza ka çuar 85 për qind të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme, ka shkatërruar ose dëmtuar shumicën e infrastrukturës së enklavës dhe ka krijuar kushte të urisë, pasi dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë