Në një mesazh të regjistruar, zëdhënësi i Brigadave Qassam Ebu Ubejde u shpreh se ndërmjetësit e Katarit kanë udhëhequr përpjekjet për të liruar 100 gra dhe fëmijë izraelitë në këmbim të lirimit të 200 fëmijëve palestinezë dhe 75 grave nga burgjet izraelite.
Ai tregoi se pala izraelite kërkoi lirimin e grave dhe fëmijëve të mbajtur në Gaza, por Hamasi informoi ndërmjetësuesit se grupi mund të binte dakord për një armëpushim pesëditor, gjatë të cilit mund të lironte 50 robër në Gaza, me mundësinë që numri të mund të rritet në 70.
“Izraeli po ‘zvarritet’ dhe po përpiqet të shmangë pagesën e çdo çmimi duke injoruar jetën e robërve të tij”, shtoi ai.
Ebu Ubejde njoftoi gjithashtu se një grua ushtare izraelite që po mbahej peng u vra në një sulm ajror izraelit disa ditë më parë. Grupi i tij më vonë publikoi një video të saj teksa mbahej peng.
Izraeli vrau mbi 11.100 palestinezë
Përpjekjet ndërmjetësuese midis Hamasit dhe Izraelit janë udhëhequr nga Katari.
Brigadat Qassam raportuan më herët se po mbanin robër 200 deri në 250 persona, duke përfshirë ushtarë dhe civilë izraelitë.
Ndërsa sulmi izraelit në Gazën e Palestinës shënon ditën e 39-të, të paktën 11.180 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë mbi 7.700 gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 28.200 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.
Mijëra ndërtesa duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.
Ndërkohë, bazuar në shifrat zyrtare numri i të vdekurve nga Izraeli është gati 1.600.