Hamasi: Plani i Izraelit për Al-Aksan në Ramazan është krim / Foto: AA

Plani i Izraelit për të kufizuar palestinezët nga hyrja në xhaminë Al-Aksa gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit është pasqyrim i krimeve sioniste dhe luftës fetare të zhvilluar nga elementë radikalë të qeverisë izraelite kundër popullit palestinez, tha Hamasi të dielën.

Grupi palestinez i rezistencës e ka kritikuar njoftimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për qëllimin e tij për të kufizuar qasjen e palestinezëve në vendin e tretë më të shenjtë të muslimanëve gjatë Ramazanit.

Ata kritikuan miratimin e Netanyahut ndaj thirrjes së ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir për të ndaluar palestinezët nga Al-Aksa gjatë Ramazanit, duke thënë se ishte një "shkelje e lirisë së adhurimit" në xhaminë e shenjtë.

Sipas tyre, kjo tregon qëllimin e Izraelit për të intensifikuar sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Ata u bënë thirrje palestinezëve në Al-Quds (Jerusalem), Bregun Perëndimor dhe Izrael që të refuzojnë dhe t'i rezistojnë këtij "vendimi kriminal", duke i nxitur ata "të ndërmarrin veprime dhe të nxitojnë në xhaminë Al-Aksa".

Kanali 13 i Izraelit raportoi më parë se, pavarësisht paralajmërimeve nga agjencia shtetërore e sigurisë së brendshme Shin Bet se do të kishte përleshje midis policisë izraelite dhe palestinezëve në Izrael, Netanyahu miratoi një ndalim për palestinezët që të hyjnë në xhaminë Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Gjegjësisht, vetëm një numër i kufizuar i palestinezëve thuhet se do të lejohen të hyjnë në xhami gjatë Ramazanit.

Sipas raporteve të fundit në mediat izraelite, Shin Bet ka paralajmëruar se kufizimi i hyrjes së politikanëve dhe palestinezëve nga Izraeli (territor i pushtuar në 1948) dhe Al-Quds në xhaminë Al-Aksa do të shkaktonte probleme të mëdha sigurie.

Prej fillimit të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës më 7 tetor, për 19 javë rresht, policia izraelite ka vendosur kufizime të rrepta të premteve, duke penguar dhjetëra mijëra besimtarë që të vijnë për t'u falur.

Për myslimanët, Al-Aksa është faltorja e tretë më e rëndësishme, e hebrenjtë pretendojnë se atje ka pasur dy tempuj hebrenj.

Kompleksi Al-Aksa, i cili mbulon 15 për qind të sipërfaqes së bërthamës së vjetër të Al-Kuds, është nën pushtimin izraelit dhe përfaqëson pikën e takimit të tre feve më të mëdha në botë.

Izraeli pushtoi Al-Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një akt që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

AA