Një zyrtar i Hamasit i përfshirë në negociatat e armëpushimit me Izraelin informoi zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Türkiyes se përpjekjet e ShBA-së për ndërmjetësim mund të jenë të sinqerta, por shtoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdimisht parashtron kërkesa të reja.
"Për shkak të shqetësimeve të sigurisë në rajon dhe zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, ShBA-ja mund të përpiqet në mënyrë të sinqertë të sigurojë një marrëveshje armëpushimi", tha zyrtari, njoftuan sot burimet diplomatike.
Megjithatë, zyrtari theksoi se ShBA-ja nuk po ushtron presion mbi Izraelin dhe se mediat amerikane nuk po pasqyrojnë "situatën reale", duke ofruar në vend të kësaj raportime "tepër optimiste".
Zyrtari zbuloi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdimisht "po parashtron kushte të reja", veçanërisht në lidhje me "Korridorin e Filadelfit" dhe "kalimin kufitar Rafah", që ka çuar në pengesa të përsëritura.
"Çdoherë kthehemi në pikën fillestare dhe fillon një proces i ri", tha zyrtari, duke shtuar se Izraeli nuk po negocion, por po imponon.
"Me këtë qasje, ne po humbasim shpresën për një armëpushim", shtoi zyrtari, duke vënë në dukje se negociatat janë fokusuar aktualisht në tri çështje kyç: Korridori i Filadelfit, kalimi kufitar Rafah dhe shkëmbimi i të burgosurve.
ShBA-ja ka paralajmëruar se do të vazhdojë negociatat edhe për dy javë të tjera, por do të tërhiqet "nëse nuk arrihet marrëveshje", një lëvizje që zyrtari i Hamasit e përshkroi si "jashtëzakonisht të rrezikshme" pasi rrezikon të kthejë gjërat në pikën fillestare.
"Ne thamë se do të negocionim brenda kornizës së dakorduar më 2 korrik. Megjithatë, Izraeli po tërhiqet nga dokumenti i 24-25 majit dhe plani i Bidenit i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ne nuk mund ta pranojmë këtë", tha zyrtari.
Ai theksoi gjithashtu situatën e rëndë në Gaza, ku njerëzit "nuk mund të gjejnë ushqim dhe ilaçe" dhe se kanë "vetëm miell dhe ushqime të thata".