Hamasi u bën thirrje palestinezëve të mbrojnë Xhaminë Al-Aksa / Photo: AA

Hamasi u ka bërë thirrje palestinezëve që të mblidhen në numër të madh të premten - për t'i dhënë fund rrethimit izraelit të Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar (Al-Quds). “Ne i bëjmë thirrje popullit tonë të marrë pjesë në mbrojtjen e Xhamisë Al-Aksa kundër agresionit izraelit”, tha grupi palestinez Hamas në një deklaratë të enjten. Hamasi ka ftuar palestinezët në Jerusalem (Kuds) që namazin gjatë muajit të Ramazanit të falin në xhaminë Al-Aksa. Izraeli ka kufizuar aksesin e besimtarëve palestinezë në Xhaminë Al-Aksa, mes tensioneve në rritje në Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës. Thirrja nga Hamasi erdhi teksa palestinezët përgatiten për lutjen e parë të xhumasë, në muajin e agjërimit të myslimanëve, Ramazanin. Numri i palestinezëve të vrarë në ofensivën vdekjeprurëse, për të cilën Izraeli akuzohet për gjenocid në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori i vitit të kaluar, është rritur në 31.341, njoftoi të enjten Ministria e Shëndetësisë e kësaj enklavë palestineze. Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid. Sulmet, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgimi i ndihmave mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar katastrofën humanitare.

AA