Irani paralajmëron ShBA-në dhe aleatët të mos mbështesin Izraelin       / Foto: AA

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Abolfazl Shekarchi i bëri thirrje ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, zëdhënësi Shekarchi ka bërë një deklaratë me shkrim me të cilën u drejtohet liderëve të ShBA-së, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

"Ju e dini shumë mirë që Irani nuk është pro luftës, por regjimit të dëshpëruar (Izraelit) ose çdo agresori do t'ia presim këmbën në mënyrë më të fuqishme se përgjigjja e dhënë ndaj Izraelit", tha Shekarchi.

"Në vend që të dënoni veprimet e ligjshme dhe në përputhje me ligjin e Iranit, ne ju rekomandojmë që të mos mbështesni regjimin e paligjshëm dhe terrorist sionist që është fundosur në moçal dhe të mos hidhni veten tuaj në zjarr", tha ai.

Tensionet Iran-Izrael

Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë nga Ushtria e Gardës Revolucionare iraniane, përfshirë 2 gjeneralë.

Irani njoftoi se sulmi i Izraelit ndaj konsullatës nënkuptonte sulm në territorin e vendit të tij dhe se ata do të hakmerreshin. Izraeli tha se do t'i përgjigjej sulmeve të Iranit.

Më 13 prill Irani nisi një sulm ndaj Izraelit me qindra mjete ajrore pa pilot kamikazë, raketa balistike dhe lundruese.

Irani njoftoi se disa objektiva ushtarakë u goditën, ndërsa Izraeli deklaroi se shumica e sulmeve u parandaluan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por një raketë goditi një bazë ushtarake në jug.

Mediat izraelite pretendojnë se qeveria e Tel Avivit ka marrë vendim që të kundërpërgjigjet në "mënyrë të hapur dhe efektive" ndaj sulmit ajror të Iranit.

TRT Balkan / agjencitë