Izraeli do të zgjerojë 'zonën humanitare' në Gaza përpara sulmit në Rafah / Photo: AA

Izraeli po përgatitet të zgjerojë një "zonë humanitare" për civilët palestinezë përpara ofensivës tokësore të planifikuar në Rafah në Rripin jugor të Gazës, thanë mediat izraelite të hënën.

Sipas radios izraelite Amry, zona humanitare do të shtrihet nga qyteti jugor Al-Mawasi përgjatë brezit bregdetar, deri në periferi të Deir al-Balah në Rripin qendror të Gazës.

"Zona humanitare do të strehojë rreth një milion njerëz," tha transmetuesi, duke shtuar se janë krijuar edhe pesë spitale fushore në zonë, duke përfshirë edhe spitalet që funksionojnë atje.

Pavarësisht rritjes së kundërshtimit global, Izraeli ka miratuar planet për të nisur një ofensivë tokësore në Rafah, ku më shumë se 1,5 milion njerëz janë strehuar nga sulmi brutal i Izraelit në Rripin e Gazës.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau afro 1.200 njerëz.

Të paktën 34.151 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 77.000 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA