Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, shprehu mbështetjen e saj për thirrjen e vendeve ndërmjetëse, ShBA-së, Egjiptit dhe Katarit, për të filluar negociata për shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit dhe një armëpushim në Rripin e Gazës.
Von der Leyen bëri një postim nga llogaria e saj X lidhur me thirrjen e ShBA-së, Egjiptit dhe Katarit, për sigurimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe për shkëmbimin e pengjeve.
"Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar jetë, për të rindërtuar shpresën e paqes dhe për të siguruar rikthimin e pengjeve" deklaroi Von der Leyen, e cila bëri të ditur se në Gaza ka nevojë të shpallet menjëherë armëpushim.
"Për këtë arsye, unë mbështes fuqimisht përpjekjet e ndërmarra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të ndihmuar në arritjen e paqes dhe stabilitetit që i nevojitet rajonit", shtoi ajo.
ShBA-ja, Egjipti dhe Katari, dje, përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit për rifillimin e negociatave në Kajro ose Doha më 15 gusht për sigurimin e një armëpushimi në Gaza dhe për shkëmbimin e pengjeve.