Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, gjatë një adresimi në parlamentin britanik ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, si dhe ka theksuar nevojën urgjente për ndihmën humanitare dhe kthimin e pengjeve.
“Kam folur me liderët e Izraelit dhe Autoritetit Palestinez. Unë kam qenë i qartë se mbështes plotësisht të drejtën e Izraelit për siguri dhe nevojën e dëshpëruar për të parë kthimin e pengjeve. Dhe gjithashtu kam qenë i qartë se situata në Gaza është e patolerueshme dhe se bota nuk do të shikojë nga larg si civilët e pafajshëm, përfshirë gratë dhe fëmijët, vazhdojnë të përballen me vdekjen, sëmundjet dhe zhvendosjet”, tha Starmer.
Starmer theksoi se politika e Mbretërisë së Bashkuar synon një armëpushim si zgjidhje e vetme për krizën.
"Nuk mund të vazhdojë (kjo). Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, pengjet jashtë, ndihma brenda dhe një shkallë e madhe e ndihmës humanitare. Ajo është politika e qeverisë", tha kryeministri britanik.
Lidhur me rifillimin e financimit britanik për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Starmer tha se hapat diplomatike janë një ndër veprimet e para të qeverisë së zgjedhur laburiste.
Duke iu referuar opinionit të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Starmer pohoi qëndrimin e qeverisë së tij kundër zgjerimit të vendbanimeve ilegale dhe bëri thirrje për angazhim të ripërtërirë për një zgjidhje me dy shtete.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të riangazhohen për stabilitet, paqe dhe normalizim të zgjidhjes me dy shtete, për një shtet palestinez të njohur dhe për të drejtën e popullit palestinez së bashku me një Izrael të sigurt", theksoi ai.
Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Izraeli duhet të ndalojë aktivitetet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, si dhe t'i japë fund sa më parë pushtimit "ilegal" të atyre zonave dhe Rripit të Gazës.