Masakra të tjera, rritet në 24.285 numri i palestinezëve të vrarë / Foto: AA

Të paktën 24.285 palestinezë janë vrarë dhe 61.154 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, tha të martën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar palestineze.

Në njoftim thuhet se forcat izraelite kanë kryer 15 masakra ndaj familjeve në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, duke vrarë 158 persona dhe duke plagosur 320 të tjerë.

Sipas të dhënave të OKB-së, 85 për qind e popullsisë së Gazës tashmë është zhvendosur brenda vendit për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar.

Të dielën, Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Ghebreyesus tha se "populli i Gazës po jeton në ferr" dhe se "askund nuk është i sigurt".

AA