Më shumë se 62 milionë amerikanë kanë votuar herët, me pesë ditë deri në Ditën e Zgjedhjeve, sipas të dhënave të publikuara të enjten.
Të dhënat nga trakeri i Laboratorit të Zgjedhjeve të Universitetit të Floridës tregojnë se 62.725.685 njerëz kanë votuar ose me postë ose personalisht në qendrat e votimit. Ndryshe nga viti 2020, kur ShBA-ja ishte në mes të pandemisë së koronavirusit, më shumë votues zgjodhën të votojnë personalisht sesa me postë në këtë cikël zgjedhor presidencial.
Rreth 900.000 demokratë më shumë se republikanë — 11.929.062 kundrejt 11.076.601 — kanë votuar herët.
Me zgjedhjet e 5 nëntorit më pak se një javë larg, sondazhet tregojnë se Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe sfiduesi i saj republikan, Donald Trump, janë të barabartë, veçanërisht në shtatë shtetet kyç të fushëbetejës.
Harris është ngushtë përpara në Wisconsin dhe Michigan me 0,2% dhe 0,4%, përkatësisht, sipas një përmbledhjeje sondazhesh të mbledhura nga faqja e internetit RealClearPolitics. Trump vazhdon të udhëheqë në Arizona, Nevada, Pensilvani, Karolina e Veriut dhe Georgia.
Megjithatë, epërsia e tij është në ose nën 1% në Nevada, Pensilvani dhe Karolinën e Veriut. Trump ka një avantazh relativisht më të madh në Arizona (+2,4%) dhe Georgia (+2,7%).
Shtetet “swing” janë vendimtare sepse ShBA-ja nuk zgjedh drejtpërdrejt presidentët e saj. Në vend të kësaj, procesi zhvillohet përmes Kolegjit Zgjedhor, ku 538 përfaqësues hedhin votat e tyre në përputhje me rezultatet e shteteve të tyre.
Çdo kandidat duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të shpallur fitoren. Zgjedhësit shpërndahen në shtete bazuar në popullsinë e tyre dhe shumica e shteteve i japin të gjithë zgjedhësit kandidatit që fiton votën e përgjithshme në atë shtet.
Modeli “fituesi i merr të gjitha” nuk ndiqet në Nebraska dhe Maine, të cilat në vend të kësaj i ndajnë votat proporcionalisht bazuar në rezultatet e tyre.